Pas një rritjeje të habitshme gjatë pesë javëve të fundit, që nuk kishte asnjë lidhje me biznesin e vërtetë të kompanisë, aksionet e rrjetit social të ish-presidentit, Donald Trump po pësojnë një rënie të papritur.
Çmimi i aksioneve të “Trump Media & Technology Group”, pronarit të Truth Social, ra me 22.3 për qind të mërkurën. Kjo shënon humbjen më të madhe ditore për Trump Media që nga momenti i listimit publik në muajin mars, duke tejkaluar një humbje prej 21.5 për qind më 1 prill, shkruan CNN.
Disa tregtarë fajësuan shitjen e madhe për faktorët teknikë dhe humbjen e vrullit për atë që është kthyer në një aksion të lëvizshëm si meme.
Aksionet e Trump Media kanë qenë tepër të paqëndrueshme gjatë gjithë vitit. Ato nuk kanë nevojë për njoftime zyrtare nga kompania për të lëvizur në mënyrë dramatike lart ose poshtë.
Nga 23 shtatori deri në mbylljen e tregut të së martës, Trump Media ishte katërfishuar në vlerë. Kjo rritje e fuqishme ishte e nxitur nga bastet në Wall Street se Trump do të fitojë Shtëpinë e Bardhë.