Shfuqizohet vendimi i 1997, miratohet organizimi i ri i drejtorisë së Burgjeve (E PLOTE)

schedule00:01 - 4 Mars, 2021

schedule 00:01 - 4 Mars, 2021

Në mbledhjen e sotme të qeverisë janë miratuar disa vendime të rëndësishme në lidhje me rindërtimin, por edhe çështje të tjera, mes të cilave organizimi dhe funksionimi i drejtorisë së përgjithshme të Burgjeve. Në vendimin e miratuar nga Këshilli i Ministrave specifikohet mënyra e re e organizimit duke shfuqizuar atë të 20 shkurtit të 1997 për strukturën dhe organikën e administratës së përgjithshme të burgjeve.

VENDIMI I PLOTE

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Organizimin dhe funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve si person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për çështjet e drejtësisë (në vijim, ministri), me seli në Tiranë.

2. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve financohet nga buxheti i shtetit dhe nga burime të tjera të ligjshme. Buxheti i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve miratohet si zë i veçantë në buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë.

3. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka si mision që të garantojë organizimin e funksionimin e sistemit të ekzekutimit të vendimeve penale dhe trajtimin e të burgosurve në përputhje me legjislacionin në fuqi e standardet më të mira ndërkombëtare, me qëllim garantimin e të drejtave të personave të dënuar dhe të paraburgosur, si dhe rehabilitimin social e riintegrimin e të dënuarve.

KREU II
PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË BURGJEVE

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka këto përgjegjësi:

1. Organizon punën për të garantuar funksionimin e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale;

2. Organizon punën për të siguruar trajtimin e personave të burgosur në përputhje me ligjin për të drejtat e trajtimin e të dënuarve me burgim e të paraburgosurve dhe me standardet më të mira ndërkombëtare;

3. Organizon punën për të garantuar sigurinë dhe rendin në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale nëpërmjet Policisë së Burgjeve.

KREU III
ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I DREJTORISË
SË PËRGJITHSHME TË BURGJEVE

1. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e ushtron veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Ajo organizohet në dy nivele:

a) në nivel qendror, si drejtori e përgjithshme;
b) në nivel vendor, nëpërmjet institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale.

2. Pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve funksionon Policia e Burgjeve, si pjesë e strukturës dhe e organikës së saj. Organizimi e funksionimi i Policisë së Burgjeve rregullohet me ligj të posaçëm.

3. Krijimi, klasifikimi dhe mbyllja e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale me burgim ose e seksioneve të veçanta në këto institucione bëhen me urdhër të ministrit.

4. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon e drejton të gjithë veprimtarinë e saj dhe përgjigjet përpara ministrit. Drejtori i Përgjithshëm përfaqëson Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve në marrëdhëniet me të tretët.

5. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve emërohet, lirohet ose shkarkohet nga detyra me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.
6. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve mbështetet nga 2 (dy) zëvendësdrejtorë të Përgjithshëm të Burgjeve.

7. Zëvendësdrejtorët e Përgjithshëm të Burgjeve emërohen sipas kritereve e procedurave të përcaktuara nga legjislacioni për nëpunësin civil dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.

8. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, në rast mungese ose paaftësie afatshkurtër, zëvendësohet, për shkak të ligjit, nga zëvendësdrejtori me vjetërsinë më të madhe në shërbimin civil. Drejtori i Përgjithshëm përgjigjet dhe raporton përpara ministrit. Zëvendësdrejtorët e përgjithshëm përgjigjen dhe raportojnë përpara drejtorit të Përgjithshëm, si dhe ministrit.

9. Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale drejtohen, mbikëqyren dhe përfaqësohen nga drejtori i institucionit, i cili i raporton drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe ministrit. Në varësi të madhësisë dhe kompleksitetit të veprimtarisë, drejtuesit e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale mbështeten nga 1 (një) zëvendësdrejtor, sipas përcaktimit në urdhrin për krijimin ose klasifikimin e tyre.

10. Drejtori i institucionit emërohet dhe shkarkohet nga ministri, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Zëvendësdrejtori i institucionit emërohet e shkarkohet nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve.

11. Struktura dhe organika e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale dhe e Policisë së Burgjeve miratohen me urdhër të Kryeministrit, në bazë të propozimit të ministrit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.

12. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në përputhje me përgjegjësitë e veta, kryen këto detyra:

a) Bashkëpunon me institucionet e drejtësisë penale, institucionet e administratës shtetërore dhe institucionet e pavarura;
b) Garanton kushtet për ekzekutimin e vendimeve penale, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet më të mira ndërkombëtare, në funksion të rehabilitimit social dhe riintegrimit të të dënuarve;
c) Mundëson trajnim dhe kualifikime të veçanta në fushat përkatëse për personelin e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale;
ç) Harton aktet nënligjore në zbatim të legjislacionit në fuqi që rregullon sistemin e burgjeve;
d) Informon në mënyrë të vazhdueshme publikun për veprimtarinë e saj, në mënyrë që të kuptohet më mirë roli i sistemit të burgjeve në trajtimin e të burgosurve;
dh) Ndjek vlerësimin e riskut dhe të nevojave të të burgosurve, si dhe realizon kategorizimin e shpërndarjen e tyre në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale;
e) Siguron shërbimet e kujdesit shëndetësor për të burgosurit gjatë kohës së qëndrimit në institucion, si dhe kushtet, mjetet e personelin për mbrojtjen e shëndetit të të dënuarve;
ë) Garanton ofrimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor të nevojshëm në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale dhe, në rast se ofrimi i këtyre shërbimeve është i pamundur të kryhet në këto institucione, shërbimet mundësohen në struktura shëndetësore të specializuara jashtë sistemit të burgjeve;
f) Nxit përfitimin, njohjen dhe certifikimin e kualifikimeve profesionale, si dhe kryerjen e lehtësimin e ndjekjes së kurseve profesionale, duke përdorur kurset me kohë të pjesshme;
g) Lidh marrëveshje me komunitete fetare të njohura ligjërisht;
gj) Kryen inspektime pranë institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale;
h) Krijon kushtet e nevojshme për kryerjen e monitorimeve të pavarura nga organizata ose agjenci ndërkombëtare dhe nga institucione shtetërore;
i) Merr masa për sigurimin e jetës së personit të burgosur, që gëzon statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe për realizimin e planit individual të trajtimit të tij, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit;
j) Kryen çdo detyrë tjetër të parashikuar nga legjislacioni në fuqi.

13. Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale kryejnë detyrat e mëposhtme:

a) Presin, sistemojnë, trajtojnë, rehabilitojnë dhe riintegrojnë personat e burgosur;
b) Sigurojnë trajtimin me dinjitet të personave të burgosur në zbatim të legjislacionit në fuqi, si dhe të akteve ndërkombëtare të detyrueshme për Republikën e Shqipërisë;
c) Sigurojnë mundësinë e trajtimit të të burgosurit nga mjeku specialist, sipas nevojave konkrete dhe sipas një regjimi kontrolli të mirëpërcaktuar;
ç) Sigurojnë trajtimin e veçantë dhe pa diskriminim për të burgosurit e mitur, gratë, personat me çrregullime të shëndetit mendor, të pasura ose të fituara gjatë burgimit, dhe të burgosurit me aftësi të kufizuar;
d) Sigurojnë rehabilitimin social dhe riintegrimin social e ekonomik që në fazën e paraburgimit;
dh) Garantojnë standardet e kushtet higjieno-sanitare, veshjen dhe kushtet e fjetjes së personave të burgosur, si dhe kushtet e ndriçimit, ngrohjes e ajrimit;
e) Nxisin përfitimin, njohjen dhe certifikimin e kualifikimeve profesionale, si dhe kryerjen e lehtësimin e ndjekjes së kurseve profesionale, duke përdorur kurset me kohë të pjesshme;
ë) Detyra të tjera të parashikuara në akte ligjore dhe nënligjore.

14. Marrëdhëniet e punës së nëpunësve civilë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale rregullohen sipas legjislacionit në fuqi për nëpunësin civil.

15. Marrëdhëniet e punës për punonjësit mbështetës në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës.

16. Rregullorja që përcakton metodat e brendshme të punës e sjelljen e personelit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale miratohet nga ministri, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm.

17. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka stemën, logon dhe vulën e saj zyrtare. Stema e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.

18. Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale kanë stemën, logon dhe vulën e tyre zyrtare. Stema e institucioneve përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale … (emri i degës territoriale)”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.

19. Vula e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe vulat e institucioneve të ekzekutimeve të vendimeve penale kanë formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vulat prodhohen, administrohen dhe ruhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

KREU IV
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

1. Vendimi nr.79, datë 20.2.1997, i Këshillit të Ministrave, “Për strukturën dhe organikën e administratës së përgjithshme të burgjeve”, shfuqizohet.

2. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!