Shfrytëzuan një 17-vjeçare për prostitucion, zbardhet skema që përdorte çifti

schedule16:13 - 24 Gusht, 2020

schedule 16:13 - 24 Gusht, 2020

Nga Glidona Daci

Një çift kanë përfunduar në prangat e policisë pasi shanatzhonin dhe shfrytëzonin një 17-vjeçare për prostitucion.

ABC News ka siguruar dokumentat nga grupi i hetimit, ku është e zbardhur e gjithë skema që tregon se si Gerald Mali dhe Evisa Mema kanë përdorur një vajzë të mitur duke e prostituuar.

Sipas dëshmisë së 17 vjeçarës, Evisa Memën e kishte njohur rreth një vit më parë, dhe nëpërmjet saj kishte njohur edhe Geraldin.

Denoncimi është kryer nga e mitura se bashku me nënën e saj pranë komisariatit numër 1 në kryeqytet.

Kallëzuesja ka thënë përpara grupit të hetimit, se çifti i bashkëjetuesve e kishin dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht dhe e kishin kërcënuar me jetën e nënës, dhe të vëllait 5 vjeçar, në rast se ajo nuk ushtron prostitucion, për të përfituar ata.

Vajza ka treguar se është shfrytëzuar për prostitucion në dy hotele të kryeqytetit.

Sipas saj ajo dërgohej në një dhomë hoteli dhe me pas Geraldi dhe Evisa i sillnin klientët. Në fakt edhe në vitin 2019 mamaja e të miturës ka bërë kallëzim penal, por është tërhequr nga 17-vjeçarja pasi është kërcënuar nga Evisa Mema.

Gjithashtu vajzës i është dhënë për të konsumuar edhe lëndë narkotike. Sipas dokumenteve, në datën 22 gusht të këtij viti, nëna e vajzës ka përdorur një shokun e vet për të marrë në telefon 17-vjeçaren, gjoja do të kryente marrëdhënie seksuale por që në fakt donte që të mashtronte dy shfrytëzuesit që vajza të largohej nga hoteli.

Geraldi dhe Evisa kanë menduar se 17-vjeçarja ka vajtur për punë dhe i kanë dhënë leje për të ikur.

Por me pas çifti i kanë vajtur vajzës poshtë banesës dhe i kanë kërkuar që të zbresë dhe të shkojë me ta, kur vajza ka refuzuar ata i kanë marrë të vëllain 5-vjeçar në makinë, e për këtë arsye e mitura është detyruar që të dalë nga shtëpia.

Sipas deklarimeve të vajzës kur kanë vajtur në hotel ata i kanë thënë se duhet të punojë pasi ka detyrime për të paguar.

Pas kësaj ngjarje, 17- vjeçarja u ka kërkuar që të shkoj në shtëpi, të rregullohej dhe me pas do të dilte për punë, por ajo ka dalë nga një rrugicë tjetër, se bashku me të ëmën dhe kane bërë kallëzim në polici.

Po ashtu edhe mamaja e vajzës ka thënë para grupit të hetimit që është telefonuar nga një person me numër privat ku i është kërkuar që të punojë ajo si prostitutë për të paguar detyrimet që u kishte 17-vjeçarja.

Grupi hetimor ka vajtur në të dy hotelet për të mbledhur provat dhe ka marrë deklarimet e recepsionistit të hotelit që ndodhej në rrugën “Niko Avramani” në kryeqytet dhe administratorit të hotelit tjetër që ndodhej në zonën e freskut.

Të dy këta persona kanë konfirmuar se 17-vjeçarja ka fjetur në këto hotele dhe gjithmonë ka qenë e shoqëruar me një çift.  Sipas tyre ata zinin dy dhoma dhe më pas vinin njerëz të tjerë të cilët deklaronin se kishin ardhur për të takuar djalin Gerin.

Prokuroria ka mbledhur provat dhe ka kërkuar që ndaj Gerald Malit( Stermollës) dhe Evisa Memës të caktohet masa e sigurisë arrest në burg. Ata do të dalin ditën e nesërme para gjykatës./abcnews.al