Shfryn Gattuso: Të silleshim si Granada do na masakronin të gjitha gazetat në botë!

schedule21:54 - 25 Shkurt, 2021

schedule 21:54 - 25 Shkurt, 2021

Napoli fitoi 2-1 kundër skuadrës së Granada sot, por në fund u eliminua nga Europa League. Trajneri Gennaro Gattuso, pas ndeshjes u shfaq i zhgënjyer për golin e pësuar dhe për faktin që kundërshtari e vononte shpesh lojën.

“Pësuam sërish një gol absurd edhe sot, me një kundër tre lojtarëve në zonë. Më pas nuk mbaj mend ndonjë rast tjetër nga Granada. Duhet të jemi krenarë për atë që kemi treguar në fushë”, tha fillimisht Gattuso, i cili më pas kërkon më shumë respekt.

“Kush na përfaqëson duhet të kërkojë që të respektohet më shumë. Nëse një skuadër i lejon vetes të bëjë atë që bëri Granada sot, përfundojmë në faqet e para në gjithë gazetat. Duhet të kemi respekt, sot ata kanë humbur shumë kohë, 3 minuta për çdo rast.

Nëse një skuadër italiane bën diçka të tillë, ne masakrohemi në të gjitha gazetat botërore. Jam i zemëruar jo sepse kemi humbur, por sepse ka pasur pak lojë efektive”, shtoi trajneri i Napolit, i cili merr të gjithë përgjegjësitë për eliminimin.

“Momentalisht duhet të rikuperojmë lojtarët dhe entuziazmin. Skuadra duhet të jetë e qetë, përgjegjësi i parë jam unë”, u shpreh Gennaro Gattuso, i cili nuk po zhvillon një sezon të mirë në krye të Napolit dhe kohët e fundit ka pasur shumë zëra për një largim të tijin. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!