Shevchenko takon Zelenskyn, ylli i futbollit: Presidenti është i pabesueshëm

schedule02:00 - 11 Qershor, 2022

schedule 02:00 - 11 Qershor, 2022

Legjenda e futbollit ukrainas Andriy Shevchenko ka pohuar se presidenti Volodymyr Zelensky është “i pabesueshëm”. Ai është shprehur gjithashtu se është shumë krenar për mënyrën se si vendi i tij është përballur me luftën.

Shevchecnko, i cili ka luajtur për ekipe si Dynamo Kyiv, AC Milan dhe Chelsea, është golashënuesi rekord i Ukrainës dhe gjithashtu drejtoi ekipin kombëtar në Kampionatin Evropian të vitit të kaluar.

Ai tha se kishte pasur një takim shumë të bukur me presidentin ukrainas së fundmi në Kiev. “Në kohën më të vështirë në historinë tonë të Ukrainës, ai ka bashkuar njerëzit dhe ka dërguar një mesazh të madh në të gjithë botën”, tha ai për BBC Radio 5 Live.

“Populli i Ukrainës nuk duhet të dorëzohet, ne duam demokracinë tonë, ne luftojmë për lirinë tonë dhe ky është një mesazh për të gjithë.

“Jam shumë krenar sesi vendi im dhe njerëzit u bashkuan për të qëndruar të fortë dhe për të mbrojtur vendin”, tha ylli i futbollit.

Këtë fundjavë Shevchenko do të luajë në Soccer Aid- një ndeshje futbolli vjetore që përfshin ish-lojtarë dhe të famshëm. Ndeshja mbledh para për Unicef-in dhe këtë vit një pjesë e shumës do të shkojë për të ndihmuar ata që janë prekur nga lufta.

“Kjo ngjarje do të ndihmojë shumë njerëz në Ukrainë,” thotë ai, “veçanërisht fëmijët, ne do të krijojmë shumë programe të shkëlqyera për të përmirësuar shumë gjëra për fëmijët.” /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!