Sheshi plot, shpresa që solli James Baker: Unë i them popullit të Shqipërisë: Amerika po kthehet te ju

schedule18:58 - 22 Qershor, 2021

schedule 18:58 - 22 Qershor, 2021

Si sot 30 vite më parë, më 22 qershor të 1991, sekretari i shtetit James Baker zhvilloi një vizitë historike në Tiranë. Në sheshin “Skënderbej”, atij iu bë një pritje madhështore. Historiani Kastriot Dervishi ka postuar fjalimin e plotë të tij dhe mesazhet tejet interesant. Mesazhi kryesor që ai dha ishte se SHBA po kthehej te shqiptarët dhe se rruga e demokracisë do ishte e pandalshme. Përveç takimeve me autoritetet e kohës dhe opozitën, ai mbajti edhe një fjalë në Kuvendin Popullor.

Fjala e plotë

Faleminderit zoti kryetar dhe anëtarë të Kuvendit Popullor!

Dëshiroj të them fillimisht se sa i prekur jam personalisht dhe anëtarët e delegacionit tim për mikpritjen tuaj, një pritje e jashtëzakonshme këtu ne Tiranë. Unë e di se kjo pritje nuk drejtohet personalisht ndaj meje, por drejtohet ndaj shtetit të cilin unë përfaqësoj. Unë e shikoj këtë edhe si një shprehje të kërkesave e aspiratave të popullit shqiptar për liri e demokraci, që i ishte mohuar për një kohë shumë të gjatë.

Dëshiroj t’u them të gjithëve se për në amerikanët ishte një gjë jashtëzakonisht emocionale pritja sot në sheshin “Skërnderbej” në qendër të Tiranës.

Miq të dashur! Për gjenerata të tëra bashkatdhetarët dhe të afërmit tuaj janë strehuar në Amerikë dhe kanë dhënë e vazhdojnë të japin një ndihmesë të jashtëzakonshme në jetën e kombit amerikan. Por rruga midis nesh duhet të jetë e dyanshme. Prandaj në fillim të këtij muaji në këtë parlament doktor Sali Berisha më ftoi të vizitoj Shqipërinë dhe unë erdha sa më herët që pata mundësi. Kam nderin dhe privilegjin që të përshëndes këtë Parlament. Me rivendosjen kohët e fundit të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona dhe me vizitën time sot këtu unë i them popullit të Shqipërisë: Amerika po kthehet te ju. Shtetet e Bashkuara kanë ndjekur me kujdes dhe kanë përshëndetur përparimin që keni arritur në rrugën e lirisë. Ju keni ndërmarrë hapat e parë të rëndësishëm për t’u bashkuar me komunitetin e vendeve të tjera pas shumë dekadash të vetëizolimit. Të gjithë amerikanët përshëndesin hapat tuaj të parë në këtë rrugë demokratike, të cilën e kanë marrë së bashku me ju shumë kombe anembanë botës. Unë kam një mesazh të thjeshtë për anëtarët e këtij Kuvendi sot dhe për çdo qytetar të këtij vendi, që tani po ballafaqohet me sfidën e vështirë të rindërtimit kombëtar. Ky mesazh është se në rrugën e lirisë ne gjithmonë duhet të shkojmë përpara. Në këtë Parlament, në këtë kryeqytet dhe anembanë këtij vendi mund të shkohet përpara vetëm drejt vendosjes së demokracisë së vërtetë, të një ekonomie tregu të lirë dhe të shtetit juridik. Pas kaq shumë vitesh Shqipëria nuk mund të vonohet më. Një pjesë e rëndësishme e punës së domosdoshme për të rindërtuar demokracinë duhet të zhvillohet në këtë parlament, në përgatitjen e ligjeve të domosdoshme për krijimin e një ekonomie të tregut, për një sistem kushtetues qeverisjeje dhe për sigurimin e demokracisë e të lirisë ekonomike. Këtu në Parlament ju do të ballafaqoheni me atë që Presidenti Bush e ka cilësuar si puna e vështirë e lirisë.

Qeveria juaj e koalicionit ka përgatitur një program ambicioz ekonomik, i çili është i domosdoshëm për ringjalljen kombëtarë të vendit tuaj. Privatizimi i bujqësisë dhe industrisë, hapja vendimtare e vendit tuaj për investime nga jashtë dhe politika e vonuar e shkëmbimit të lirë të monedhës, liberalizimi i çmimeve dhe një buxhet kombëtar i balancuar janë të domosdoshëm për të përgatitur terrenin për ringjalljen ekonomike të Shqipërisë. Por unë dua të theksoj atë që kanë përjetuar vendet e tjera të Europës Lindore. Rruga e përparimit është e dhimbshme e vështirë. Puna juaj nuk do të jetë e lehtë. Ajo do të kërkojë nga ju dhe nga populli juaj durim dhe vendosmëri, gjëra që shqiptarët i kanë treguar në luftën e tyre të gjatë për liri. Por nuk ka tjetër rrugë drejt së ardhmes, të cilën e dëshirojnë dhe e meritojnë shqiptarët, për ju e për fëmijët tuaj. Në këtë parlament e në këtë kryeqytet ju do të përpiloni një Kushtetutë të re, që do të jetë një pjesë shumë me rëndësi për ringjalljen, për krijimin e një Shqipërie të re. Në qoftë se kjo do të jetë një Shqipëri ku qytetarët individualë do të vendosin të ardhmen e tyre, ku të drejtat e çdo qytetari, pa marrë parasysh prejardhjen e tyre etnike ose fetare, do të mbrohen plotësisht, atëherë procesi i përpilimit të Kushtetutës së re do të jetë i hapur dhe demokratik. Jam shumë i kënaqur që ju keni ftuar ekspertë kushtetutorë nga vendi im dhe nga vendet e tjera të Euopës, që të këshillohen me ju në këtë proces. Dhe, duke folur si avokat, unë mund t’ju them se është me rëndësi jo vetëm përmbajtja e ligjit, por edhe fryma e një ligji të tillë, si dhe zbatimi, që do ta bëjnë shumë të rëndësishëm suksesin e një demokracie të vërtetë, e cila duhet t’u përmbahet ligjeve të drejta dhe të bazohet në drejtues të drejtë.

Gjithashtu jam shumë i kënaqur që Qeveria ime dhe shumë organizata private amerikane do t’i ndihmojnë shqiptarët që të ndërtojnë demokracinë, ekonominë e tregut dhe një rend të ri kushtetues.

Dëshiroj të jem shumë i qartë në lidhje me diçka tjetër. Ashtu si nuk ka kthim prapa në rrugën e krijimit të një Shqipërie të re, gjithashtu gjatë kësaj rruge nuk mund të ketë vend për dhunë, nuk mund të këtë vend për kërcënime dhe nuk mund të ketë vend për përdorimin e forcës.

Konceptet kryesore të Europës së re, së cilës Shqipëria iu bashkua duke u bërë anëtare e KSBE-së, janë respektimi i të drejtave të njeriut, si dhe zgjidhja në mënyrë paqësore e mosmarrëveshjeve. Unë e di se flas për çdo amerikan, kur i drejtohem çdo anëtari të këtij Parlamenti, si dhe çdo qytetari të Shqipërisë: të zhduket njëherë e përgjithmonë frika në Shqipëri. Kjo është Shqipëria e re dhe ju jeni anëtarë të një Europe të re. Ju jeni bashkuar me vendet anëtare të KSBE-së, të cilat janë zotuar që të zbatojnë standardet e larta të KSBE-së, standardet që përcaktojnë sjelljen e shteteve ndaj njëri-tjetrit, si dhe ndaj popujve të tyre. Ju keni arritur një marrëveshje solemne me Europën, si dhe me vetveten. Mos e shkelni këtë marrëveshje! Ju tani jeni anëtare e plotë e KSBE-së. Shpresoj se privilegjin e anëtarësisë në të do ta përdorni në mënyrë të drejtë. Me veprimet tuaja Shqipëria mund të ndihmojë në përcaktimin e procesit të Helsinkit, institutet e saj të reja, vendimet e saj dhe drejtimin që do të marrë për të mirën e Europës. Po nuk ka asnjë dyshim që procesi i Helsinkit do të ndikojë edhe te ju, ashtu siç ka ndikuar edhe në vendet e tjera, anëtare të kësaj organizate. Ju tani jeni bashkuar në një proces, i cili që nga fillimi i tij kishte si qëllim ndërtimin e një Europe të bashkuar dhe të lirë. Dhe, si hap i parë i Shqipërisë si anëtare e plotë e KSBE-së, unë i bëj thirrje parlamentit shqiptar, Qeverisë Shqiptare dhe të gjitha forcave demokratike në këtë vend që të bashkëpunojnë plotësisht me misionin e ardhshëm të reporterëve të KSBE-së. Organizata e KSBE-së mund të ndihmojë ato vende të cilat kanë qenë objekt represioni, armiqësish dhe të izoluara, drejt respektimit të të drejtave të njeriut, krijimit dhe zbatimit të proceseve demokratike, krijimit të ekonomisë së tregut të lirë, si dhe në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar. Shpresoj që KSBE- ja të japë një ndihmesë në këtë drejtim edhe në Shqipëri për të mirën e popullit shqiptar dhe për të mirën e Europës së re.

Dhe në qoftë se më lejoni, dëshiroj të theksoj, se ç’kanë mësuar demokracitë e reja të Europës lidhur me dhënien fund të frikës dhe të rindërtimit të një të ardhmeje më të mirë. Ato e dinë se është e nevojshme të lirohen të gjithë të burgosurit politikë njëherë e përgjithmonë. Ato e dinë se kjo do të thotë respektim i plotë i të drejtave fetare, si dhe i të drejtave për pakicat kombëtare dhe hapjen e mjeteve të informimit. Ato e dinë se kjo do të thotë që t’u jepet fund organeve represive të sigurimit dhe që funksionet e policisë të vihen nën kontrollin demokratik. Ato e dinë që kjo do të thotë që të bëhet depolitizimi dhe kontrolli civil i forcave ushtarake. Ato e dinë që kjo do të thotë çlirimi i fabrikave, i kooperativave etj, nga kontrolli politik dhe nga keqdrejtimi. Ato e dinë qe kjo do të thotë krijimi i një procesi të drejtë dhe të hapët gjyqësor, i bazuar në traditat më të mira të drejtësisë dhe të ligjit. Ato e dinë se kjo do të thotë demokratizim në të gjitha nivelet e Qeverisë dhe të shoqërisë. Kjo do të thotë zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të drejta si në nivelin kombëtar, ashtu edhe në nivelin lokal, zgjedhje ku përfshihet një fushatë e drejtë, shpërndarja e barabartë e burimeve shtetërore dhe e drejta e barabartë për të përdorur mjetet e informacionit nga të gjitha partitë. Këto janë sfidat e lirisë, por edhe elementet e ligjshmërisë së vazhdueshme.

Ju dhe fqinjët tuaj keni një rast të jashtëzakonshëm që të krijoni një histori të re, duke tejkaluar politikat që kanë çuar në qorrsokakë dhe konflikte. Siç e theksoi edhe kryetari i parlamentit tuaj, ndërsa ju do të punoni në mënyrë paqësore për respektimin e të drejtave të shqiptarëve etnikë në këtë rajon, nuk duhet të merreni shumë me konfliktet e vjetra dhe me mosmarrëveshjet e lashta.

Miq të dashur! Këtu, si në Amerikë, demokracia nuk mund të jetë vetëm një ideal. Ajo duhet të jetë realitet. Dhe në këtë drejtim, përderisa ju do të vazhdoni të angazhoheni, ne do t’ju mbështesim ashtu siç ju kemi mbështetur në fillim të këtij shekulli, kur Presidenti Uillson mbështeti çështjen tuaj. Jam shumë krenar që Presidenti im dhe vendi im janë me ju në këtë dekadë të fundit të shekullit të 20-të dhe mbështesin një Shqipëri të lirë e të pavarur. Çdo pjesë e këtij kontinenti, ashtu si çdo qytetar i këtij vendi, duhet të jenë pjesë e asaj që Presidenti Bush e ka cilësuar si një Europë e bashkuar dhe e lirë.

Në përfundim, miq të dashur, me lejoni të theksoj se unë shpresoj që nga sot populli amerikan dhe populli shqiptar do të besojnë në të njëjtat ideale, në një qeveri të hapur, në mjetet e hapura të informacionit, në një ekonomi të hapur dhe në një shoqëri të hapur, për arsye se këto, miq të dashur, do të sigurojnë lirinë. Dhe liria jep rezultate.

Faleminderit dhe Zoti ju bekoftë!

d.b/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!