Në studion e “ABC e Mëngjesit”, historia e Anxhelita Koxhës erdhi si një përplasje elegante mes paragjykimeve dhe suksesit. Vetëm 25 vjeçe, ajo ka përfunduar master për lidership dhe është ndër vajzat e pakta në Shqipëri që shesin makina luksi, në një industri të dominuar prej vitesh nga meshkujt.
E quajnë “vajza që shet bisha”, por për Anxhelitën, makinat nuk janë thjesht objekte luksi, janë sfida të fituara një e nga një. Videot e saj me supermakina janë bërë virale, duke ngritur pyetjen që ndez rrjetin: marketing i zgjuar apo thjesht guxim për të qenë ndryshe? Kur timonin e merr një vajzë e bukur, vëmendja është e garantuar, por Anxhelita e kthen vëmendjen në besim dhe shitje reale.
“Gjithçka nisi spontanisht dhe u shkrinë në qenien time,” tregon ajo. Nga organizimi i një kompanie, përfundoi duke u bërë imazhi i saj, pa kërkuar leje për të hyrë në një “territor mashkullor”. “Nuk e pashë si sfidë, thjesht e dija që mund ta bëja. Unë shes makina, jo justifikime,” shprehet ajo me siguri.
Paragjykimet? I ka dëgjuar të gjitha. “Komenti më i shpeshtë ishte: ‘Ku merr vesh kjo nga makinat?’ Nuk më ka bërë përshtypje. Kam qenë bionde në atë kohë dhe e justifikoja,” thotë me ironi. Sot përgjigjen e jep me fakte, jo me replika. “Fillimisht klientët më shohin me skepticizëm, por kur flet me baza, nuk ka më vend për paragjykime.”
Rezultati është i qartë: klientë të kënaqur, bashkëpunime që kthehen në miqësi dhe një profil profesional i ndërtuar mbi njohuri, pasion dhe prezencë. “Çdo shitje më bën të lumtur, më jep kënaqësi personale arritjeje. Makinat shkojnë dhe vijnë, por një stereotip i thyer lë gjurmë.”
Për Anxhelitën, suksesi nuk matet vetëm me çelësa makinash luksoze, por me barrierat që bien. “Një stereotip i thyer nuk blihet me asgjë,” thotë ajo.


