Sherri për dy stola në Lezhë, policia: Avokati u arrestua pasi goditi dhe i grisi bluzën efektivit

schedule21:26 - 27 Tetor, 2020

schedule 21:26 - 27 Tetor, 2020

Policia e Lezhës ka reaguar për arrestimin e avokatit Gjergj Neli duke sqaruar sipas saj konfliktin. Policia akuzon se avokati është arrestuar, pasi kundërshtoi, goditi me grusht dhe i grisi bluzën efektivit.

Në njoftimin zyrtar për mediat, drejtoria e policisë Lezhë deklaron se rreth orës 15:10 mori një telefonatë për një konflikt, në afërsi të hotel turizmit. Pasi arriti në vendin e ngjarjes, policia thekson se konstatoi avokatin dhe bashkëshorten e tij Shaqe Marinaj duke u konfliktuar me një person.

Më tej, policia thotë se ndërhyri për të penguar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, por akuzon se avokat Neli i ka  kundërshtuar me dhunë duke goditur me grusht dhe grisur bluzën njërit prej efektivëve. Për këtë arsye Gjergj Neli u arrestua. 68-vjeçari banues në Lezhë tashmë do të përballet me akuzën e kundërshtimit me dhunë të policisë.

Abc News mëson se sherri i çiftit të avokatëve nisi për dy stola që kishin vendosur poshtë pallatit ku kishin edhe zyrën, por që kundërshtohej nga banorët. Shaqe Marinaj theksoi se ka bërë gati një padi te Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat për efektivin e policisë, Myrteza Mehmeti që sipas saj e dhunoi atë dhe burrin e saj./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!