Sherri në pritje për kombëtaren/ Alen Sherri shkëlqen në duelin Napoli- Cagliari në Itali

schedule16:05 - 25 Maj, 2025

schedule 16:05 - 25 Maj, 2025

Nuk ka mundur të luajë vazhdimisht këtë sezon. Alen Sherri vërtet e bëri transferimin e jetës, nga Egnatia e Rrogozhinës në Serinë A, por si çdo portier është dashur të luftojë për vendin e titullarit.

Gjithsesi, java e fundit e Serisë A e nxori 27-vjeçar në ato që mund të quhen “dritat e skenës”, dhe pikërisht në ndeshjen më të ndjekur të kampionatit, Napoli-Kaljari.

Vendasit e trajnerit Antonio Konte dhe të “dardanit” Amir Rrahmani fituan titullin kampion me suksesin 2-0, por përveç golave nga Mektominai e Lukaku, spikatën pritjet e gardianit shqiptar.

Shtatlartë 1.97 metra, ai ndaloi gjuajtjet e disa prej lojtarëve vendas, mes të cilëve edhe atë të Rrahmanit. Padyshim, në mungesë të Sherrit, rezultati do të kishte qenë më I thellë.

“La Gazeta delo Sport” e vlerëson me notën 6.5, e cilëson më të mirin e kaljaritanëve, dhe komenton se bëri çfarë mundi.

Në tërësi, mediat italiane shkruan se Sherri nuk bëri të qahej mungesa e portierit kryesor, Kaprile.

“Sofaskor” i dha notën mjaft të mirë 7.4, me statistikat se bëri 4 pritje të rëndësishme, 5 grushtime dhe 5 spastrime të zonës, ndërsa pika e dobët ishte saktësia e paktë në pasimet e gjata.

Në total, ai ka luajtur shtatë ndeshje këtë edicion në Serinë A, diçka aspak negative. Ndoshta, kombëtarja shqiptare ka gjetur një gardian për të ardhmen, pikërisht në kohën kur porta është më e pasigurt se kurrë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!