Manchester United nuk shkoi më shumë se një barazim 0-0 këtë fundjavë në duelin me Leeds United dhe tashmë misioni titull mund të konsiderohet i mbyllur. Gjatë ndeshjes ra në sy përplasja mes Harry Maguire dhe mesfushorit Fred. Kapiteni i “Djajve të Kuq” debatoi me shokun e skuadrës, por trajneri Solskjaer pretendon se ai incident ndodhi nga dëshira e madhe për të fituar.
“Kemi një grup që kërkon shumë nga njëri tjetri. Standarti është shumë i lartë si në lojë ashtu edhe në stërvitje. Nuk ka të bëjë vetëm me të qenit djalë i mirë, pasi ne kërkojmë përpjekje maksimale. Jam shumë krenar për lojën që zhvilluam dhe sa të fortë që dukeshim. Mendoj se ata kurrë nuk na kërcënuan, por ne humbëm pak nga ritmi jonë për të fituar ndeshjen”, ishte deklarata e Solskjaer pas ndeshjes.
Kujtojmë që kjo është hera e dytë që Maguire përfshihet në një konflikt me një nga shokët e ekipit këtë sezon. Anglezi shkëmbeu disa fjalë edhe me Marcus Rashford muajin e kaluar, në barazimin me Crystal Palace. Nuk dihet nëse do të ketë masa disiplinore nga klubi anglez apo të dy lojtarët do të sqarojnë gjithçka që kanë mes tyre. /abcnews.al