Sherri jashtë selisë blu, Vokshi: Dënojmë dhunën, Basha s’i shpëton dot vullnetit të delegatëve

schedule19:02 - 15 Dhjetor, 2021

schedule 19:02 - 15 Dhjetor, 2021

Albana Vokshi ka reaguar për incidentin e ndodhur jashtë selisë blu ku ajo së bashku me anëtaren e Komisionit të Rithemelimit Evi Kokalari u përplasën me një simpatizante të PD.

“Komisioni i Rithemelimit  të PD dënon me forcë aktet e dhunës verbale e fizike ndaj zonjave anëtare të Komisionit për Rithemelimin e PD dhe zonjave Kryetare të degëve dhe anëtare të LDGSH. PD është shtëpia e lirisë se çdo demokrati. Është e turpshme të keqpërdoren gratë nga Shoqata Basha – Bardhi, si mburojë njerëzore për ruajtjen e karriges. Nuk ka logore e mburoje njerëzore që ta shpëtojë deputetin Basha nga vullneti i 4446 delegatëve të Kuvendit Kombëtar, kuvendit më spektakolar në historinë e pluralizmit politik në këto 30 vjet.

Vullneti i 4446 anëtareve të Kuvendit Kombëtar që do të konfirmohet me referendumin e 18 dhjetorit, nuk do të mund të transformohet nga orkestra e çakorduar e Shoqatës Basha-Bardhi. Skenarët me vullnetarët e Lulzim Bashës do të denoncohen para ligjit dhe gjithë shqiptarëve dhe ideatorët dhe ekzekutuesit do të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe morale. Komisioni i Rithemelimit të PD do vijojë punën e tij në ambientet e selisë së PD, si shtëpia e të gjithë demokratëve”, shkruan Vokshi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!