Sherri mes Zlatan Ibrahimovic dhe Romelu Lukaku në derbin e Kupës së Italisë vazhdojnë të jetë ngjarja kryesore në Itali dhe tashmë “topin” ka kaluar në radhët e drejtuesve të klubeve. Fillimisht ishte drejtori sportiv i Milanit, Paolo Maldini, që reagoi duke theksuar se suedezi nuk është racist dhe thjesht i doli në mbrojtje shokëve të tij pas shpërthimit të belgut.
Nuk mund të mungonte një kundërpërgjigje nga CEO zikaltër, Giuseppe Marotta, i cili padyshim që dënon ngjarjen e ndodhur mes të dyve. “Nuk dua të bëj polemikë me Maldinin, por pamjet janë aty dhe të gjithë e panë se çfarë ndodhi mes tyre. Lukaku nuk është një futbollist agresiv dhe për këtë dëshmon vetë karriera e tij.
Gjithsesi duhet theksuar se ishte një episode i shëmtuar për publikun dhe ne si drejtues duhet të punojmë më shumë për të edukuar dhe kontrolluar lojtarët tanë”, deklaron Marotta. Kujtojmë që të dy lojtarët u dënuan me nga një ndeshje pezullim në Kupën e Italisë, por ky dënim dhemb më shumë tek Interi, pasi ato do të luajnë pa Lukakun në gjysmëfinale kundër Juventusit. /abcnews.al