Sherri i mësueseve te “Çajupi” për tavolinën, të afërmit kapën karriget. 1 i arrestuar, 5 hetohen

schedule09:06 - 12 Tetor, 2021

schedule 09:06 - 12 Tetor, 2021

TIRANË- Sherri mes 2 mësueseve të shkollës “Andon Zako Çajupi” asaj të Letërsisë Elida Qenami 46 vjeç dhe të Historisë Domenika Toptani 53 vjeç, ditën e djeshme sipas policisë ka nisur për tavolinën se ku do të uleshin në lokal. 2 mësueset janë konfliktuar verbalisht por më pas kanë ndërhyrë dhe familjarët e tyre, të cilët kanë kapur karriget e lokalit duke gjuajtur njëri-tjetrin, si dhe kanë qëlluar me armë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se në një lokal në afërsi të një shkolle në rrugën “Kongresi i Manastirit”, fillimisht janë konfliktuar verbalisht, për motive të dobëta (për vend qëndrimi në lokal)”, thotë policia.

Siç raportoi ditën e djeshme gazetarja e ABC  Xhensila Kodra fillimisht 2 mësueset e kanë nisur debatin me njëra-tjetrën në oborrin e shkollës, ndërsa në lokal kanë shkuar për t’u sqaruar. Si duket mësueset nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të shuar konfliktin e nisur në shkollë dhe situata ka agravuar duke bërë një sherr banal mu pranë shkollës në sy të nxënësve për të cilët duhet të jenë shembulli më i mirë. Sebepi që kanë gjetur ka qenë tavolina se ku do uleshin, një pretekst absurd.

Lexo edhe: Sherri te “Çajupi” nisi mes 2 mësueseve, shkuan në lokal për t’u sqaruar! Ushtaraku qëlloi në ajër

Policia raporton se në pranga ka rënë Edmond Faja 39 vjeç i cili gjatë konfliktit me sende të forta ka nxjerrë dhe armën duke qëlluar vetëm 1 herë në ajër.  Fajas i është sekuestruar pistoleta TT dhe po kryhen verifikimet.  5 familjarë të tjerë janë vënë nën hetim, konkretisht Elton Kasaj, 30 vjeç, Enrik Qenami, 41 vjeç, të afërm të mësueses së letërsisë Elida Qenami dhe  Enea Kovaçi, 32 vjeç , Ndriçim Qefalija, 43 vjeç, një 41 vjeçar si dhe është shpallur në kërkim Alvaro Toptani, 27 vjeç, të afërmit e mësueses së Historisë, Domenika Toptani. Dje Ndriçim Qefalija, polic ushtarak ishte një nga personat e shoqëruar në polici si i dyshuar për të shtënat me armë. Dyshohet se mund të kenë qenë 2 persona të armatosur.

“Janë përfshirë në konflikt konkretisht shtetasit E. F., E. Q., 41 vjeç, N. Q., 43 vjeç dhe L. D., 41 vjeç (të afërmit e shtetases E. Q.) dhe shtetasit E. K., 32 vjeç, E. K., 30 vjeç dhe A. T., 27 vjeç (të afërmit e shtetases D. T). Si pasojë e konfliktit është dëmtuar me sende të forta shtetasi E. K., 32 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, gjatë konfliktit dyshohet se shtetasi E. F. (i arrestuar) ka qëlluar në ajër me një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale“.

Gjatë konfliktit është plagosur Enea Kovaçi, 32 vjeç i afërm i njërës prej mësueseve dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Për të parandaluar agravimin e situatës është dashur ndërhyrja e policisë. Në rrugën “Kongresi i Manastirit” ku u zhvillua sherri është ndodhur rastësisht një polic, i cili është përpjekur të neutralizojë situatën, madje ka nxjerrë dhe pistoletën por nuk ka qëlluar.

Lexo edhe: U zu me kolegen për një tavolinë në lokal, kjo është mësuesja e Historisë te “Çajupi”

Dy mësueset që nisën sherrin ku u përdoren karrige e deri tek të shtënat me armë  sot janë pezulluar nga detyra. Nxënësit e shkollës dje kanë parë një shfaqje të shëmtuar përpara nisjes së mësimit të nisur nga mësueset e tyre. Ndonëse policia thotë se sherri nisi për karrigen, ajo që kuptohet është se përplasje mes tyre ka qenë e mëparshme që në ambientet e shkollës.

/be.k/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!