Një person ka mbetur i vdekur në Gjilan të Kosovës, pas një përleshje me thika që ka ndodhur ditën e sotme në një kafene.
Sipas policisë së Kosovës në pranga ka rënë një person i cili akuzohet se ka goditur me thikë viktimën.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, konfirmoi për Telegrafin se tashmë kanë arrestuar një person të dyshuar.
“Sot me 24 qershor 2021 rreth orës 13:15 Policia e Kosovës në Gjilan është njoftuar për një rast ‘Therje me thikë’. Njësitet relevante të policisë së Kosovës kanë dalë me urgjencë në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe mjeku kujdestar ku vetëm ka mundu me konstatuar vdekjen e viktimës i moshës madhore. Policia e Kosovës e ka arrestuar një person i cili dyshohet të jetë i involvuar në këtë rast të rëndë”, tha zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
“Për momentin nuk dihen motivet dhe rrethanat që kanë çuar në këtë rast të rëndë”, deklaroi ai
Hashani bëri të ditur se është ngritur një grup hetimor dhe po punohet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të kësaj ngjarje të rëndë. e.l/abcnews.al/