Kryeministri Edi Rama gjatë një vizite në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në Durrës, deklaroi se radhët nëpër sportele do të shmangen pasi një pjesë e mirë e shërbimeve do të mund të merren online. Kreu i qeverisë gjithashtu premtoi se deri në fund të vitit “92 përqind e shërbimeve do të mund të merren pa lëvizur nga shtëpia”, dhe se do të jetë “shteti që vjen në xhep, në Iphone dhe kompjuter”.
“Kjo është për ata që thonë që nuk ka ndryshuar asgjë. Ka ndodhur një ndryshim historik. Tani duhet që qytetarët të shmangni kontaktet fizike me administratën. Duhet ta pranojmë që ka akoma probleme, pasi rritja e nivelit të edukatës së administratës kërkon kohën e vet. Nuk mund të bëhet duke shkuar në Gjermani e Francë dhe duke parë.
Aty bëhet fjalë për qindra vjet traditë dhe nuk bëhet fjalë për 3 dekada. Në këtë mënyrë shteti vjen në xhep. Jo dora në xhep e një nëpunësi. Por shteti të vjen në xhep, e ke në Iphone, në kompjuter. Ata që thonë që e-albania është për të rinjtë gabojnë. Ne kemi parë që më të moshuarit janë përdorues më të rregullt të kësaj forme të marrjes së shërbimit.
Këto zyra të ISSH deri para ca vitesh ishin si stacione trenash. Tani kjo gjë ka ndryshuar komplet. Të gjitha vendet që kanë pasur këtë proces e kanë pasur këtë problem të tranzicionit psikologjik. Madje ka vende që e kanë bërë në mënyrë “të dhunshme” duke thënë që s’ka më dhe pikë. Dhe ne do të shkojmë drejt asaj: Nuk ka më sportele, shko dhe zgjidhe. Vetvetiu pastaj njeriu do ta zgjidhë”, tha Rama.