“Shërbimet dhe tregtia, më konkurrente në treg”, eksperti: Investimet e huaja? Trendi ka qenë rritës. Ja shtetet që dominojnë

schedule14:31 - 3 Korrik, 2024

schedule 14:31 - 3 Korrik, 2024

Eksperti për zhvillimin e bizneseve, Daniel Guçe, i ftuar në “Money Report”, foli për bizneset e vogla por edhe për investimet e huaja në Shqipëri. Ai tha se tregtia dhe shërbimet kanë qenë sektorët më dominantë dhe konkurrues në treg për shkak të mundësisë për të krijuar sipërmarrje familjare.

“Sektori i tregtisë dhe shërbimeve ka qenë dominant për shkak të mundësisë për të krijuar një sipërmarrje sa më të thjeshtë dhe familjare. Që të jesh një konkurrente në treg, të krijosh një sipërmarrje në turizëm apo ndërtim ka nevojë për një buxhet më të madh, për plane më të struktura biznesi. Te sektori i akomodimit dhe shërbimeve dhe restoranteve, 17 962 sipërmarrje, kemi rritje të mirë në një sektor dhe përgjigja shkon në sinkron me njëra-tjetrën. Të gjitha sektorët janë protagoniste për krijimin e sipërmarrjeve të reja por shërbimi nuk kërkon shumë.”, u shpreh ai.

Duke u ndalur te bizneset e huaja në vend, ai tha se më së shumti dominojnë vendet evropiane. Konkretisht Italia kryeson me mbi 40 përqind, ndjekur më pas nga Kosova dhe Turqia.

“Në 2023 startupet kanë qenë trendi në disa sipërmarrje në sektorin e turizmit. I njëjti trend vazhdon sa i përket investimeve të huaja. Ka qenë ky ritëm, sipërmarrjet nga BE dominojnë në Shqipëri, Italia me mbi 43 përqind të totalit të sipërmarrjeve të krijuara për 2023, dhe Turqia dhe Kosova janë aty në ekuilibër. Pastaj vijnë shtetet e tjera.”, shtoi eksperti.

Sa i përket agroturizmit, ai tha se në vitet e fundit strukturat akomoduese në zonat malore janë shtuar. Sipas tij, agroturizmi është një mundësi e mirë për punësim por edhe për ruajtjen e traditave dhe kulinarisë.

“Në 10 vjeçarin e fundit, trendi ka qenë rritës sa i përket zhvillimit të strukturave akomoduese në zonat malore. Mundësi e mirë jo vetëm për punësim por edhe për të ruajtur traditat tona të kulinarisë dhe ofron jo vetëm peisazhin por edhe ruajtjen e disa komponentëve që lidhen me guest house.”, tha ai./abcnews.al