Shënimi i Ramiz Alisë që burgosi Visar Zhitin: Këto poezi janë të huaja për artin tonë, të mos i bëhet asnjë lëshim

schedule08:31 - 24 Qershor, 2021

schedule 08:31 - 24 Qershor, 2021

Dashnor Kaloçi

-Ekskluzive, pas polemikës të hapur këto ditë në shtyp, “mbi përzgjedhjen” e poetëve që burgoseshin nga regjimi komunist-

Publikohen disa dokumenta të panjohura të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat i përkasin vitit 1979, ku shefi i Shtypit në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së, Miti Tona, me anë të një raport-informacioni, me temë “Mbi disa problem të dorëshkrimeve në poezi”, dërguar Ramiz Alisë, në mes të tjerash ndalet te vëllimet poetike të katër poetëve: Agim Gjakova, Rudolf Marku, Agim Isaku dhe Visar Zhiti, duke analizuar me detaje dhe hollësira poezitë e tyre, pasi sipas tij, në mes tyre kishte “poezi moderniste, hermetike dhe me gabime të theksuara ideore”,  etj. Raport-informacioni i shefit të Shtypit të Komitetit Qendror, është parë nga Ramiz Alia, i cili ka vënë shënimet përkatëse, ku mes të tjerash thuhet: “Bisedoni me sh. Dritëro Agolli, të organizohet në Lidhje, një diskutim krijues për këto probleme dhe konkretisht për këto “poezi” e të tjera si këto. Duhen kritikuar fort si të huaja për artin tonë. Asnjë lëshim nuk duhet bërë. T’u pritet rruga përpjekjeve të tilla të çoroditura e në kundërshtim me realizmin socialist. Mos e nënvleftësoni këtë çështje se mund të bëhet e rrezikshme. Më njoftoni përfundimin”.

Ashtu siç kemi parë dhe në mjaft dokumente të tjera të botuara në faqet e këtij libri dhe jo vetëm, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Ministria e Arsimit dhe Kulturës, Komiteti i Arteve etj., herë pas here dërgonin në Komitetin Qendror të PPSH-së, raporte, informacione e relacione të ndryshme që kishin të bënin me krijimtarinë artistike, kryesisht ato të librit artistik dhe botimet e tjera që këto mbulonin në rrugë zyrtare. Kjo gjë, pra diktati që ushtronte regjimi komunist ndaj shkrimtarëve dhe artistëve, ka qenë evident në mënyrë permanente që nga krijimi i Lidhjes, por u vendos si rregull kryesisht që nga fillimi i vitit 1973, kur Enver Hoxha lëshoi kritikat e para ndaj Festivalit të 11 të Këngës në Radio Televizion, gjë e cila i parapriu një furtunë të vërtetë mbi shkrimtarët dhe artistët, ku shumë prej tyre me në krye dy shefat kryesorë, Fadil Paçramin e Todi Lubonjën, përfunduan burgjeve dhe internimeve të regjimit komunist, e shumë të tjerë u shkarkuan nga funksionet e postet që mbanin dhe u dërguan “për t’u edukuar në gjirin e klasës punëtore”.

Në këtë kuadër, pra në vazhdën e informimit të Komitetin Qendror të PPSH-së lidhur me problemet e botimeve që e shqetësonin atë sektor, aty nga fundi i muajit korrik të vitit 1979, shefi i shtypit pranë atij aparati, Miti Tona, u ka dërguar eprorëve të tij një raport-informacion prej tetë faqesh, të titulluar “Mbi disa probleme të dorëshkrimeve në poezi”. Siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë, problemi që ngrihet aty ka të bëjë jo me krijimtarinë artistike të botuar, por me vëllimet që dergjeshin prej kohësh sirtarëve të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” dhe nuk e shikonin dritën e botimit, pasi ata konsideroheshin me “gabime ideore”! Ndër këto vëllime, shefi i shtypit në Komitetin Qendror të PPSH-së, ka zgjedhur si “më problematikët” librat e katër autorëve të njohur siç ishin: Agim Gjakova, Agim Isaku, Rudolf Marku dhe Visar Zhiti, ku ky i fundit asokohe ishte një poet i ri nga provinca (familja e tij gjysmë e internuar në Lushnje) dhe nuk kishte as emrin dhe jo e jo famën e tre kolegëve të tij, që kishin botuar prej vitesh libra me krijimtarinë e tyre.

Por që çuditërisht siç do ta shikojmë edhe nga dokumenti me raport-informacionin në fjalë, ai (Zhiti), do ta pësonte më shumë se tre kolegët e tij që bëhet fjalë në atë raport-informacion, madje duke përfunduar prapave hekurave të burgut. Në analizën e bërë poezive të këtyre katër autorëve, (që me shumë gjasa është bërë nga kritikët apo redaktorët e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”), shefi i shtypit në Komitetin Qendror të PPSH-së, Miti Tona, si një kritik i vërtetë letrar, ka analizuar me detaje deri në figuracione artistike disa nga poezitë e tyre, duke i konsideruar ato me probleme ideore dhe të pabotueshme. Ajo që bie në sy është fakti që: edhe pse raporti i tij (Miti Tona), nuk është shumë i ashpër, madje krahasuar me shumë raporte, informacione e relacione që përmbajnë dokumente të tjera që kemi publikuara në faqet e këtij libri dhe jo vetëm, është disi i butë dhe aty në përfundim të tij, ai u ka bërë me dije eprorëve të tij, se: “Pavarësisht nga këto të meta, në tërësi poezia jonë ka përmbajtje të shëndoshë ideore, është mbështetur fuqimisht në mësimet e Partisë dhe të shokut Enver dhe kryen me dinjitet misionin e vet”.

Pra, tek ai raport duket se mbizotëron ana pozitive e problemit, që është trajtuar dhe marrë në analizë, apo siç thuhej rëndom asokohe në raporte të ndryshme (jo vetëm tek ato të letërsisë dhe arteve), se: “e përgjithshmja është pozitive”. Por siç duket, i atij mendimi nuk ka qenë Ramiz Alia, sekretari i Komitetit Qendror të PPSH-së që mbulonte artet, kulturën dhe propagandën, i cili në raport-informacionin në fjalë, (në faqen e parë), mes të tjerash ka shkruar: “Duhen kritikuar fort si të huaja për artin tonë. Asnjë lëshim nuk duhet bërë. T’u pritet rruga përpjekjeve të tilla të çoroditura e në kundërshtim me realizmin socialist. Mos e nënvleftësoni këtë çështje se mund të bëhet e rrezikshme. Më njoftoni përfundimin”. Përveç këtij shënimi, në faqe të parë të dokumentit që ka qenë një praktikë e njohur për të gjithë titullarët partiakë dhe shtetërore të cilëve i’u adresohej, ajo që vihet re në atë korrespodencë shkresore të Ramiz Alisë me vartësit e tij, (si psh. Jakup Mato, Miti Tona etj.) është edhe një letër gati një faqe me një shënim të gjatë të tij, ku te fjalia e fundit, ai (Ramizi), ka shkruar: “Jam dakord me masat që propozohen. Të zbatohen. Për ndonjërin dhe çojeni deri në fund, bashkë me organizatat e tjera këtë problem”.

Gjë e cila duket se ka rezultuar fatale për poetin e ri Visar Zhiti, pasi atij jo vetëm që nuk i’u botua vëllimi poetik që kishte dërguar që nga viti 1972 në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, por ai përfundoi prapa hekurave të burgut, i akuzuar si “armik i popullit” dhe pikërisht për ato poezi…! Gjë tjetër që vihet re edhe nga faksimilet përkatëse të këtyre dokumenteve arkivore që po publikojmë për herë të parë në këtë pjesë të librit, është edhe fakti se në korrespodencën shkresore për raport-informacionin në fjalë, ku merren në analizë poezitë e Zhitit dhe tre kolegëve të tij, në një shkresë përcjellëse që në fund mban firmën e Ramiz Alisë, (i cili në ato ditë u nis për në Paris për të shoqëruar Hysni Kapon të sëmurë rëndë), atë ditë kanë firmosur edhe gati gjysma e Byrosë Politike si: Hekuran Isai, Simon Stefani, Manush Myftiu, Foto Çami, Xhelil Gjoni dhe Miti Nito e Mehmet Karakushi, instruktorë në Komitetin Qendror për artin, kulturën dhe propagandën. Këtë letër Ramiz Alia ia ka dërguar fillimisht vetëm Hekuran Isait dhe Simon Stefanit, dy sekretarëve të sapozgjedhur të Komitetit Qendror, (asokohe zëvendësuan Hysni Kapon, që sapo kishte vdekur), gjë e cila do të thoshte se: me personin e përmendur në atë raport, tashmë kishin punë organet e Diktaturës së Proletariatit, si Sigurimi i Shtetit, Hetuesia, Prokuroria dhe gjykatat, që i mbulonin në rrugë partie, Simon Stefani dhe Hekuran Isai.

Nuk dihet me saktësi se përse nga ata katër shkrimtarë: Agim Gjakova, Rudolf Marku, Agim Isaku dhe Visar Zhiti, u përzgjodh ky i fundit, “për t’i shkuar deri në fund problemit”, siç sugjeronte në shënimin e tij Ramiz Alia. Ky fakt, aq sa pikëpyetje ngrinte asokohe, aq edhe i thjeshtë dhe i lexueshëm bëhet kur e shikojmë dhe analizojmë sot që kemi dhe dimë mjaft gjëra, që asokohe as nuk i shkonim nëpër mend. Pasi: ndërsa Agim Gjakova ishte me origjinë kosovar dhe në ato vite Tirana zyrtare duket se po kalonte “muajt e mjaltit” me “miqtë kosovarë” dhe Agim Isaku e Rudolf Markun kishin përkrahjen e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, (në atë kohë Kadare shkoi vetë në Lezhë dhe bisedoi me sekretarin e parë, Mentor Muça për Rudolf Markun), Visari nuk kishte përkrahje fare dhe i vetmi njeri, Xhevahir Spahiu, që e kishte ndihmuar e përkrahur duke i botuar disa poezi te “Nëntori”, tashmë po kalonte për vete ditë të vështira, pasi ishte kritikuar personalisht nga Enver Hoxha.

Po kështu “përzgjedhja” e Zhitit për t’u dënuar ndoshta lidhej edhe me faktin se ai ishte më i ri në moshë se tre kolegët e tij dhe nuk kishte libra të botuar, gjë e cila në një farë mënyre e kursente shtetin, duke mos çuar libra për karton dhe të mos hiqte nga qarkullimi tekste mësimore ku ishin emrat e Gjakovës, Isakut dhe Markut. Por ajo më kryesorja që tre poetët u shpëtuan hekurave të burgut apo internimit (si shumë kolegë të tyre në ato vite) dhe ai “fat” i ra vetëm Zhitit, ishte ana biografike, pasi Visari kishte pasur babanë (Hekuran Zhiti) në burg dhe një nga xhaxhallarët, (ish-mësues që nga koha e Monarkisë dhe poet që shkruante dhe botonte poezi që nga fillimi i viteve ’30-të), i cili ishte arrestuar menjëherë pas mbarimit të Luftës dhe kishte vdekur nga torturat në qelitë e Degës së Brendshme të Beratit në vitin 1945, pa dalë në gjyq!

Kjo gjë “mjaftonte”, që pas shënimit të Ramiz Alisë, vartësit e tij ta kishin më të lehtë për ta “përzgjedhur” atë, siç dhe ndodhi në të vërtetë. Por atë gjë, si duket ua “lehtësoi” edhe vetë Visari, pasi që nga viti 1973 kur ai e dërgoi për herë të parë atë vëllim poetik pranë Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, e deri në vitin 1979 që ai u arrestua, redaktorët dhe shefat e sektorit të poezisë ia kthyen atë disa herë “për përmirësim”, por ai jo vetëm që nuk e “përmirësonte”, por ua ridërgonte atë, më me shumë probleme. Gjë e cila citohet edhe në raport-informacionin e firmosur nga Miti Tona dhe atë “kokëfortësi”, Zhiti e pagoi shtrenjtë, “duke shkuar me këmbët e tij në burg”! Pra e thënë shkurt” arsyeja e pare dhe më kryesorja që po dënohej Zhiti, ishin vetë poezitë “moderniste, hermetike, me frymë dekadente dhe me gabime ideore”, të tij.

Por siç thotë populli, “jo çdo e keqe vjen për keq”, pasi ndërsa gjatë periudhës së vështirë të hetuesisë, Visari i shkruante poezitë në mendjen e tij, pasi hetuesi jo rrallë e kontrollonte edhe aty, duke i thënë; “Çfarë po mendon tani”, apo në zgafellat e thella të minierave të Spaçit a Qafë-Barit, ku ai kaloi vite të tëra, poezitë i fshihte në shoje këpucësh apo çorape leshi që kundërmonin nga çizmet, (pasi policët nga ndonjëherë “lëshonin pe” dhe nuk i kontrollonin si duhet), sepse pas viteve ’90-të, Zhiti u bë një nga shkrimtarët dhe poetët më të njohur, ku shumë nga librat e tij janë botuar dhe vazhdojnë të botohen e përkthehen edhe jashtë vendit e për të ka shkruar jo rrallë edhe shtypi i huaj. Si p.sh., gazeta prestigjioze italiane, “La Repubblica”, e cila në një nga numrat e saj në vitin 1998, midis të tjerash shkruante: “Para këtij volumi doli në italisht më 1998 ‘Shkrimtarë nga burgu’ (Feltrinelli), përkthim i ‘This Prison Where I Live’ (Ky burg ku unë jetoj), botuar dy vjet më parë nga Cassel Academic në Londër, për të shënuar 75-vjetorin e Pen Klubit dhe për të përkujtuar “mbijetesën e shkrimtarëve të shumtë, që janë dënuar padrejtësisht gjatë këtyre shtatëdhjetë e pesë viteve”.

Tani ja kjo përmbledhje e dytë, që edhe pse e titulluar me një si apel lirie, është shkruar përsëri nga persona të cilët gati të gjithë e kanë humbur lirinë për periudha pak a shumë të gjata, kanë pësuar burgun, torturën, arrestin apo ekzilin”. Më pas po në këtë artikull të “La Respubblica”, autori i saj duke cituar shkrimtarin me famë botërore, Umberto Eco, shkruan: “Shihet qartë në këtë libër ngjarja e Visar Zhitit: mjaftoi të shkruante poezi të konsideruara nga redaktorët e një shtëpie botuese ‘të trishtuara dhe hermetike’, e pra kundër regjimit. Pastaj, praktika ia kaloi automatikisht Komitetit Qendror të partisë shqiptare, Ministrisë së Brendshme dhe Zhiti fitoi drejtësisht dhjetë vite burg. Puna është se, poezia i shkaktonte frikë regjimeve autoritare e diktatoriale, edhe nëse flet, si në rastin e Zhitit për trëndafila”.

Kështu e ka përkufizuar shkrimtari i famshëm fatin tragjik të Zhitit nën regjimin komunist, gjë e cila bën fjalë edhe në këto dokumente arkivore, që publikohen për herë të parë në faqet e këtij libri.

(Dokumentet botohen me shkurtime, të plota do të jenë në librin “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist”, që pritet të dalë së shpejti”.

Raporti i shefit të shtypit në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së, Miti Tona, për Ramiz Alinë

I N F O R M A C I O N

MBI DISA PROBLEME TË DORËSHKRIMEVE NË POEZI

Muajt e fundit, siç raporton drejtoria e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, asaj i kanë ardhur disa dorëshkrime me poezi, të cilat krahas poezive të shëndosha ideologjikisht dhe me nivel artistik, ka edhe disa krijime me recidive të poezisë formaliste, hermetike, me figuracion të paqartë e të errët, pra me disa nga ato të meta dhe dobësi që u kritikuan në Plenumin e IV të K.Q. të Partisë për Letërsinë dhe Artet.
Pikërisht këto poezi, një pjesë e të cilave janë edhe të autorëve të njohur, nuk janë botuar. Për këto në adresë të redaksisë së poezisë, disa krijues, kryesisht poetë, kanë filluar të flasin se: “në sirtarët e Shtëpisë Botuese, qëndron ‘poezia e mirë’”, “në redaksinë e poezisë ka tendencë për të qenë brenda’, “se nuk po inkurajohet talenti i vërtetë”.

Autorët e këtyre thënieve janë ose autorët e vetë dorëshkrimeve të pabotueshme, ose recensentë.

Nuk përjashtohet mundësia e vlerësimit të shpejtuar apo subjektiv nga ana e botuesve të ndonjë poezie, e cila edhe mund të botohej, por që nuk është botuar. Por këtu fjala është për shumicën e poezive të dorëshkrimit, ose për një numër të konsiderueshëm të poezive brenda dorëshkrimit, të cilat në variantin e paraqitur për botim nga autori, për arsye të gabimeve dhe mangësive të theksuara ideoartistike, kanë rezultuar të pabotueshme.

Në disa vëllime duket tendenca për të mahnitur lexuesin, duke përdorur pa kriter terma të shkencave moderne, si kënga e bilbilit mbulon “ultratingujt dhe zukatjen e insekteve”, Vagonët e mallrave “inercojnë me fishkëllima”:, shfaqen “oshilacionet e kaltra të ekraneve luminishente”, “suniosidet blu-bardhë të trenave”, “vrer radio-aktiv” etj.

Ose duke përdorur figura çapraze si:

“Jeta zgjedh vetveten te bukuria e dashurisë”, “Shatërvanët janë flokët e punëtorëve që hapin kanale”… “pas dritares është realiteti që me buzët plot puthje të shirave/bie mbi rrugët e etura për këmbët e progresit”: “Hëna e ripërtypur nga delet/ bashkë me fijet e barit/ hënë e përtypur nga autokombajna”.

Visar Zhiti. Disa herë me radhë ka sjellë vëllime me poezi me recidive të theksuara formaliste.

Poezia “Tregimet e dimrit” është tipike.

“Hajde, hajde – më tha gruaja. Dhe s’e ngriti fenerin

Mbi fytyrën time që të më shihte kush isha.

Rëndësi ka që fytyra ime është e njeriut.

U futa në një odë të madhe.

Me burra dhe me gra.

Unë isha i qullur, i lodhur.

Unë kisha rrobat e qullura të Mbretit Lir”.

Poezia është tipike për shkrirjen e kufirit midis poezisë dhe prozës.

Maniera për figuracionin normale modernist e shtyjnë autorin të na japë vargje të tilla, që na duken tepër të stisura dhe çapraze:

“Pse u mbulua ky qytet me gërmadha/

nga tërmeti i mallkuar apo nga ajo e rënda luftë”?

Këto gërmadha ngjajnë me flokët e shprishura tek e dashura/

Për t’i krehur pastaj më të bukura”.

 

Në poezinë “Çdo t’i thoja Migjenit më 1937”, autori shkruan:

“Oh brenda teje ndjen një ulurimë ujku të përzjer me yje/

Borsalinos së bukur ke ç’ti bësh/

e flak në një qoshe, bile mund ta godasësh me shkelm

si një qen të besdisshëm/

Palltoja do të plaket pavarësisht nga parimet/

Këpucët s’dinë asgjë për rrugët që ti ke qejf të shkosh, ato çahen/

Gravata s’kish më kuptim/

Në qoftë se do të bëhej litari i varjes”.

Pavarësisht nga këto të meta, në tërësi poezia jonë ka përmbajtje të shëndoshë ideore, është mbështetur fuqimisht në mësimet e Partisë dhe të shokut Enver dhe kryen me dinjitet misionin e vet.

Mendojmë të porosisim Lidhjen e Shkrimtarëve që të organizojë një diskutim me poetët, ku të trajtojnë disa problem të poezisë dhe aty edhe këto shfaqje të huaja në krijimtarinë e pabotuar.

Këtë ta drejtojë ndonjë nga poetët tanë më me autoritet e ndofta vetë shoku Dritëro, në mënyrë që të ndikojë sa më mirë e të ndihmohen poetët.

             27. 7. 1979

SEKTORI I SHTYPIT

Miti Tona

Shënimi i Ramiz Alisë mbi raport-informacionin e Miti Tona

Sh. Mehmet

Bisedoni me sh. Dritëro Agolli të organizohet në Lidhje, një diskutim krijues për këto probleme dhe konkretisht për këto “poezi” e të tjera si këto. Duhen kritikuar fort si të huaja për artin tonë. Asnjë lëshim nuk duhet bërë. T’u pritet rruga përpjekjeve të tilla të çoroditura e në kundërshtim me realizmin socialist. Mos e nënvleftësoni këtë çështje se mund të bëhet e rrezikshme. Më njoftoni përfundimin.

Ramiz
1.9.1979

Letra e Ramiz Alisë për Jakup Maton, instruktorin e Komitetit Qendror

Shoku Jakup,

Drejt ka vepruar Ndërmarrja e Botimeve dhe organet e shtypit që kanë kthyer “Krijimtarinë” e paarritur. Nuk duhet të bëhet asnjë lëshim, as në letërsi, as në art dhe as në kulturë.

Por organet tona, (Ministria e Arsimit, Lidhja e Shkrimtarëve, K.Q. i Rinisë etj.) duhet të shqetësohen për faktin se harxhohet kot gjithë ai mund (e kam fjalën për ato krijime që janë të dobëta artistikisht). Dhe më shumë duhet të shqetësohen për ata autorë që prodhojnë vepra me të meta ideore.

Kjo duhet të shqetësojë edhe komitetet e organizatat e partisë. Si t’i edukojmë? Le t’i ndihmojmë! Qoftë nga pikëpamja artistike (me anë të shkollës, me kurse, me diskutime krijuese etj.), qoftë nga ana ideologjike dhe edukative.

Jam dakord me masat që propozohen. Të zbatohen. Për ndonjërin dhe çojeni deri në fund, bashkë me organizatat e tjera këtë problem. /Memorie.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!