Ceremonia e përkujtimit të 100 vjetorit të përfundimit të luftës së parë botërore është pasuar nga polemika të shumta në Beograd. Mediat kanë sulmuar autoritetet franceze lidhur me vendin që i ishte rezervuar presidentit Vuçiç në ceremoni.
Një ditë pas shënimit të njëqindvjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, në Paris të Francës, në Beograd vazhdon pakënaqësia me trajtimin që iu bë president serb Aleksandar Vuçiç, i cili u la larg liderëve botërorë, për dallim nga presidenti Kosovar, Hashim Thaçi, që ishte ulur pranë kancelares gjermane, Angela Merkel, presidentit francez Emmanuel Macron si dhe presidentit rus, Vladimir Putin.
Ambasadori i francës në Beograd, Frederic Mondoloni, është gjetur këtë mëngjes mes gërshërëve të medias serbe për shkak të vendeve ku u ulën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Në adresë të protokollit, përkatësisht mikpritjes franceze kritik ka qenë edhe vetë Vuçiçi, teksa ka pranuar se Thaçi ka pasur pozicion më të mire se të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor, por që është mjaftuar me komentimin se ‘nuk kishte kuptim që atje të shkaktonte skandal’.
E, kryediplomati francez në metropolën serbe, këtë të hënë i ka kërkuar falje presidentit por edhe popullit serb: Nuk e di çfarë ndodhi. Them se ky ishte gabim për keqardhje,’- ka arsyetuar ambasadori francez.
Analistët serbë, ndërkaq kanë shtruar pyetjen se kujt i dedikohej një mesazh i tillë – Vuçiçit apo presidentit rus Vladimir Putin, prapa të cilit ishte sedilja e Presidenti Hashim Thaçi.
Media në Pishtinë ndërkaq ka nënvizuar se në shënimin e njëqindvjetorit të Luftës së Parë Botërore jo të gjithë patën mundësi të ulen në vendet më të veçanta. Për dallim nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ishte pikërisht i pari i shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi i cili u ul në binën A ku ishin liderët e shteteve dhe të organizatave më të fuqishme të botës. Thaçi si duket ka pasur trajtim të veçantë edhe në Forumin e Paqes që u zhvillua po të dielën në Paris: ai ishte në afërsi të kancelares gjermane, Angela Merkel, presidentit francez Emmanuel Macron si dhe presidentit rus, Vladimir Putin./abcnews.al