Një grua mund të bëhet nënë përmes riprodhimit të asistuar pasi të ketë kaluar 18 vjeçe dhe deri në moshën 53 vjeçe.
Qeveria ka hedhur për konsultim projektligjin për shëndetin seksual dhe riprodhues përmes të cilit synon përcaktimin e rregullave për riprodhimin invitro, surrogatinë dhe ndërprerjen e shtatzënisë, për shqiptarët dhe të huajt që qëndrojnë përkohësisht apo përherë në Shqipëri.
Përfituese apo përdoruese e këtyre teknikave mund të jetë çdo grua me aftësi të plotë për të vepruar që në mënyrë të lirë dhe të ndërgjegjshme jep pëlqimin me shkrim pavarësisht gjendjes së saj civile.
Në projektligj theksohet gjithashtu se “e drejta për riprodhim mjekësor të asistuar, përfshin te drejtën e riprodhimit për çiftet heteroseksuale dhe femrës pa partner.
Riprodhimi mjekësor i asistuar, mund të ndodhë edhe kur ka një marrëveshje midis një gruaje që mbart në mitrën e saj dhe lind një fëmije për një grua tjetër, e cila e ka të pamundur të lindë fëmijë.”
Gruaja zëvendësuese duhet të jetë mbi 25 vjeç dhe të ketë lindur të paktën një fëmijë.
Një fëmijë i lindur sipas teknikës së riprodhimit mjekësor të asistuar nëpërmjet shtatzënisë surrogate i nënshtrohen dispozitave të Kodit të Familjes për birësimin surrogativ.
Embrionet dhe vezët e pa fekonduara sipas këtij projektligji mund të ruhen në ngrirje deri sa gruaja te mbushë moshën 53 vjeç. Pas kësaj moshe, vezët ose embrionet nëse nuk dhurohen, duhet të asgjësohen.
Institucioni shëndetësor i cili i ruan paraprakisht duhet të parashikojë me marrëveshje midis palëve çfarë ndodh me qelizat riprodhues ose embrionet në rast të humbjes së jetës të njërit prej bashkëshortëve ose bashkëjetuesve ose në rastet e divorcit apo ndërprerjes së bashkëjetesës.
Femrat mbi 18 vjeçe mund të dhurojnë vezët deri në moshën 35 vjeç. Ndërsa për donatorët meshkuj dhurimi i spermatozoideve zgjat nga 18 deri në 45 vjeç.
Dhurimi do të jetë anonim ndërsa institucioni duhet të garantojë konfidencialitetin e të dhënave nga bankat e qelizave riprodhuese, si dhe nga regjistrat e dhuruesve.
Numri maksimal i autorizuar për fëmijë të lindur në Shqipëri, që gjenerohen me qeliza riprodhuese të të njëjtit dhurues, nuk duhet të jetë më i lartë se 5.
- Në raste të veçanta, mund të bëhen përjashtime, kur gruaja ose çifti kërkon një fëmijë të dytë ose të tretë nga i/e njëjti/njëjta dhurues/dhuruese.
Gjithashtu projektligji zgjat nga 12 në 14 javë afatin për ndërprerjen e një shtatzënie.
Të miturat e pamartuara mbi 16 vjeç mund të ndërpresin vullnetarisht shtatzëninë, por të paktën njeri nga prindërit ose kujdestari ligjor duhet te informohen për vendimin e saj. Ky informim nuk do të realizohet nëse e mitura ka arsye bindëse se ajo rrezikon të dhunohet apo keqtrajtohet.
Ndërkohë nëse jeta apo shëndeti I gruas është në rrezik serioz apo hatëzania shtatzënia është rezultat i përdhunimit, marrëdhënieve seksuale me dhunë ose një krimi tjetër seksual por dhe në rastet kur ekziston rreziku i anomalive serioze të fetusit mund të ndërpritet deri në javën e 22 por kjo duhet të konfirmohet nga një komision I posaçëm. Projektligji përjashton rastet urgjente.
Shkeljet e dispozitave të këtij projektligji kur nuk përbëjnë vepër penale, por kundravajtje administrative dhe dënohen me gjoba sipas shkeljes.