Shëndetësia e PD-së, Koduzi: Do hyjmë thellë, gjëja e mirë që ka bërë kjo qeveri! Koja: Broçkulla

schedule22:09 - 1 Shkurt, 2021

schedule 22:09 - 1 Shkurt, 2021

“PD-LSI: 1 qeveri me 2 programe”. Mbrëmjen e sotme emisioni “Log.” i drejtuar nga gazetari Endri Xhafo në “ABC” ia kushtoi “zbërthimit” të programit shëndetëor të Partisë Demokratike që prezantoi sot. Të ftuar në studio në pjesën e parë ishin Gazmend Koduzi, i cili është pjesë e departamentit të shëndetësisë në PD, që ka punuar për programin, Gjergji Koja, mjek dhe ish-ministër i Shëndetësisë dhe Azmi Stringa, analist ekonomie.

Koduzi u shpreh se me programin, PD-ja shëndetësisë i kanë hyrë në thellësi për të ndryshuar rrënjësisht gjithçka nëse do të fitojnë zgjedhjet. “Ne i kemi hyrë cdo gjëje në thellësi. Departamenti i shëndetësisë është marrë me programin që në vitin 2015, kemi 5 vite.

“Leva e Arkimedit” është fuqizimi i fondit të sigurimeve shëndetësore. Fondi do të bëhet autonom që të jetë i pavarur në punën e tij. E dyta cështja e kartës së sigurimeve, do të krijohet ekonomia shëndetësore, të gjitha institucionet do të futen në garë për të tërhequr pacientët” tha ai.

Por në këtë pikë, Koja tha se me këtë program PD-ja po rrezikon që të nxjerrë jashtë loje 2600 mjekë të familjes. “Ky është një program jashtë realitetit, një përrallë nga e kaluara. Në 2010 në kohën e qeverisës së PD u miratua karta e pacientit, dhe pika 5 thotë se pacienti ka të drejtë të zgjedhë specialistin, mjekun dhe spitalin. Ju e shikoni pacientin si klient. Do të hiqni jashtë loje nja 2600 mjekë familje në të gjithë Shqipërinë. Kujdes! Mos flisni broçkulla” tha ai.

Por Koduzi e shpjegoi planin e vendosjes së pacientit në qendër. “Kompeticioni është kush do të zgjedhë kë, jo kush do të marrë kë. Ne po themi si në Maqedoni, që pacienti zgjedh mjekun e vet. Sot ka një sistem referimi sistemi, që të detyron të shkosh në këtë kanal”.

Gjithashtu Koduzi tha se PD-ja nuk është tërhequr nga premtimi për anulimin e koncesioneve në shëndetësi. “Koncesionet do të anulohen, absolutisht. E ka thënë zoti Basha”. Koja nisur edhe nga e kaluara shprehet pesimist. “PD-ja asnjëherë nuk mori përgjegjësi për shëndetësinë, por e përdori mall shkëmbimi në parlament” referuar dhënies së këtij dikasteri aleatëve në qeverisjen e PD-së.

Megjithatë, Koduzi gjen një gjë pozitive te kjo qeverisje. “Do të bëjmë reforma institucione, ne synojmë ministrinë e Shëndetësisë ta bëjmë sikur ka qenë, t’ua rikthejmë mjekëve. Sot për fat të keq, në ministrinë e Shëndetësisë mund të jenë 2-3 mjekë, më së fundmi një nga gjërat më të mira që kanë bërë këta është emërimi zv/ ministre i një mjeke epidemiologe, Eugena Tomini, në kulmin e epidemisë, por nuk zgjidhin problem me atë, është e pakët” tha ai./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!