Shembja e pallatit në Miami, Joe Biden premton ndihma për personat e prekur

schedule15:41 - 26 Qershor, 2021

schedule 15:41 - 26 Qershor, 2021

Të paktën katër persona kanë humbur jetën pas shembjes së pallati 12 katësh në Miami ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për 159 të humbur. Presidenti amerikan Joe Biden premtoi ndihma për banorët e Floridës që janë prekur nga shembja e pallatit.

“Kam biseduar me Guvernatorin DeSantis dhe kemi siguruar ndihmat e nevojshme. Kemi dërguar profesionistët më të mirë të Agjencisë Federale për Menaxhimin e Emergjencave. Ne do të qëndrojmë pranë personave të prekur në këtë gjendje të jashtëzakonshme. Shumë njerëz po presin. A janë gjallë? A do të ketë të mbijetuar?

Ne jemi bashkë në këtë situatë kaq të vështirë. Ju premtoj se administrata dhe Kongresi do të bëjnë gjithçka që është e mundur,” tha Biden.

Ekipet e kërkim-shpëtimit  vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar  nën rrënojat e pallatit 12 katësh. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për shtetin e Floridës dhe urdhëroi ndihma federale për të përforcuar përpjekjet e autoriteteve shtetërore dhe atyre lokale për të përballuar këtë situatë.

Të enjten ekipet e specializuara të kërkim-shpëtimit arritën të dëgjojnë disa zhurma, por jo zëra njerëzish, që vinin nga nën rrënojat e pallatit të shembur. Ende nuk dihet shkaku i shembjes së pallatit, megjithëse zyrtarët lokalë thanë se objekti po kryente punime në çati dhe disa riparime të tjera.

Autoritetet lokale njoftuan se disa hotele kanë strehuar banorët e prekur  dhe se po organizohen operacione për t’u dërguar ushqime e ilaçe sipas nevojave./abcnews.al