Të paktën 11 persona kanë vdekur pas shembjes së një ndërtese apartamentesh në Paulista, afër Recife në Brazilin verilindor, dhe tre persona janë ende të zhdukur, thanë autoritetet sot.
Ekipet e shpëtimit po gërmojnë në rrënoja në kërkim të një gruaje dhe dy fëmijëve, të cilët janë zhdukur në fatkeqësinë e ndodhur dje. Njëmbëdhjetë persona u plagosën gjithashtu, nga 5 deri në 45 vjeç, sipas Mbrojtjes Civile të shtetit Pernambuco. Një grua 65-vjeçare dhe dy vajza adoleshente janë nxjerrë të gjalla.
Ndërtesa trekatëshe ishte ngjitur me një kompleks të madh banimi, sipas pamjeve të publikuara nga mediat lokale. Banesat atje u vulosën në vitin 2010 për shkak të rrezikut të shembjes së ndërtesës, por u uzurpuan në mënyrë të paligjshme, shtoi Mbrojtja Civile.
Në prill, një tjetër ndërtesë në të njëjtën gjendje u shemb në Olinda, në shtetin e Pernambuco, duke vrarë 6 persona.