Shembja e maternitetit, PDIU: Rama, Veliaj e mafia e betonit po shuajnë trashëgiminë e Shqipërisë

schedule14:58 - 22 Mars, 2021

schedule 14:58 - 22 Mars, 2021

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar pas shembjes së Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, nga Qeveria dhe Bashkia e Tiranës, dhe ndërtimin e një objekti pranë mozaikut të Tiranës, një zonë kjo arkeologjike dhe e mbrojtur.

Në një deklaratë për mediat, PDIU thekson se “mafia e Qeverisë dhe Bashkisë pasi shembën Teatrin, izoluan Kullën e Sahatit, rrënuan Maternitetin dhe tashmë kanë nisur të ndërtojnë ngjitur me mozaikun e Tiranës, zonë kjo e pasur arkeologjike e Tiranës”.

PDIU thotë se Rama, Veliaj dhe mafia e betonit, po shkatërrojnë trashëgiminë kulturore dhe historike të Shqipërisë. Po ashtu, kjo parti politike i bën thirrje Prokurorisë të veprojë menjëherë “para se të jetë tepër vonë dhe memoria jonë historike të humbasë përgjithmonë.”

Deklarata e PDIU

“Në një kohë që situata e pandemisë vijon të keq menaxhohet dhe qytetarët janë lënë në mëshirë të fatit, dyshja Rama-Veliaj dhe mafia e tyre e betonit po shkatërrojnë trashëgiminë kulturore të Shqipërisë.

Pasi shkatërruan Teatrin Kombëtar, fshehën tërësisht Kullën e Sahatit, shembën Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, mafia e Qeverisë dhe e Bashkisë ka nisur të ndërtojë ngjitur Mozaikut të Tiranës, njërës prej zonave më të pasura arkeologjike të kryeqytetit.

Por nuk është vetëm qendra historike e Tiranës që rrezikon zhbërjen. Këtë sjellje barbare ndaj trashëgimisë në vend e ka dënuar sot World Heritage Watch, një rrjet i përbërë nga 180 organizata që lobojnë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Me preteksin e rehabilitimit të infrastrukturës apo hapësirave publike, në Gjirokastër po ndërtohet një ByPass pa kurrfarë vlerësimi për ndikimin kulturor e mjedisor që mund të ketë në qytet.

Për shkak të kësaj babëzie Gjirokastra rrezikon të humbë statusin e qytetit të mbrojtur nga UNESCO, çka do të ishte një goditje e rëndë ndaj trashëgimisë sonë kulturore dhe zhvillimit të turizmit në vend. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet i bën thirrje Prokurorisë të veprojë menjëherë para se të jetë tepër vonë dhe memoria jonë historike të humbasë përgjithmonë.”