Shembet ura në Metoq të Sarandës, izolohen banorët: Askush nuk është interesuar

schedule10:37 - 25 Janar, 2022

schedule 10:37 - 25 Janar, 2022

Prej tre ditësh ura e fshatit Metoq në Sarandë është shembur. Njëra këmbë e urës është shkëputur duke izoluar lëvizjen e banorëve në këtë zonë.

Të detyruar, ata lënë mjetet në njërin krah dhe kalojnë në këmbë.  Kjo urë lidh fshatin e Metoqit me tokat bujqësore, magazinat e misrit dhe bashkitë Finiq dhe Konispol. Për pasojë mungesa e urës penalizon edhe fermerët e zonës.

“Kjo na paralizon komplet. Të paktën me vijmë dhjetë herë në ditë te magazinat. Janë 7 depo misri këtu në këtë lagje. Të na ndihmojnë ta bëjnë një orë  e më parë urën”, thotë një preh tyre për gazetaren e ABC, Silvi Sulaj.

Rrëzimi i këmbës se urës për shkak të erozionit, rrezikon dhe këmbësorët. Nga ana tjetër, disa fermerë kanë vështirësi për të shkuar natën në stallat e lopëve.

“Është shembur nga ngarkesa, vijnë maune të mëdha. Nuk i mban kjo urë 100 ton. Këta kanë kaluar me pesha të rënda dhe kanë dëmtuar rrugën. Kemi një stallë lopësh këtu duhet të vemi në 02:00 të natës për të marrë qumështin. Kjo rrugë na lidh me shumë fshatra”, thotë një banor.

Banorët janë të shqetësuar që deri më tani askush nuk është interesuar për riparimin e urës.

“Është shkëputur këmba e urës nga lumi që doli dhe nuk kanë ardhur të shikojnë. Presim të vijë ndonjë ta shikoj, nuk ka ardhur njeri. Nuk është marrë asnjë masë. Doli lumi para ca ditësh, më mbrapa u shkëput ura”, thotë banori. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!