Shembet një ndërtesë në Siri, ndërrojnë jetë 16 persona mes tyre dhe fëmijë

schedule22:53 - 22 Janar, 2023

schedule 22:53 - 22 Janar, 2023

Gjashtëmbëdhjetë persona, përfshirë fëmijë, u vranë kur një ndërtesë u shemb sot në një lagje të Alepos, qyteti i dytë më i madh i Sirisë , sipas burimeve lokale.

Në orën 03:00 të mëngjesit, në lagjen kurde të Sheikh Maksoud, ndërtesa pesëkatëshe u shemb pasi uji u derdh në themelin e saj ndërsa banorët ishin duke fjetur, njoftoi agjencia zyrtare siriane e lajmeve Sana.

Shtatë familje jetonin në ndërtesë, sipas ministrisë së brendshme, afro 35 persona sipas banorëve, megjithëse është e paqartë se sa prej tyre ishin brenda ndërtesës kur ajo u shemb.

Numri i të vdekurve ishte 16 dhe 4 të plagosur deri vonë të dielën pasdite, raportoi Sana.

Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut me qendër në Britani, i cili ka një rrjet të madh burimesh në terren në Siri, një fëmijë u vra.

Në mëngjes, agjencia zyrtare kurde e lajmeve Anha kishte raportuar për 12 të vdekur, duke përfshirë 5 fëmijë, duke përmendur një numërim të përkohshëm.

Katër persona u nxorën të gjallë nga rrënojat, sipas Sana.

Ekipet e shpëtimit, forcat e mbrojtjes civile dhe zjarrfikësit po vazhdojnë operacionet e kërkimit për të gjetur persona të tjerë të zhdukur në rrënoja.

Imazhet e transmetuara nga televizioni shtetëror sirian treguan shpëtimtarët duke punuar nëpër rrënoja me duart e tyre të mbuluara me pluhur. Pranë tyre, ekskavatorët gërmojnë nëpër një det mbeturinash./abcnews.al/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!