Shembet një ndërtesë në Havana, një i vdekur dhe disa të zhdukur

schedule18:57 - 4 Tetor, 2023

schedule 18:57 - 4 Tetor, 2023

Të paktën një person ka humbur jetën si pasojë e shembjes së një ndërtesë në Havana. Sipas autoriteteve një zjarrfikëse femër dhe dy të tjerë janë bllokuar nën rrënoja.

Një grua, një anëtare e brigadës së zjarrfikësve që nxitoi në vendngjarje, vdiq gjatë operacioneve të shpëtimit, tha një zjarrfikës.

Një tjetër zjarrfikës si dhe një banor i pallatit, 76 vjeç, janë ende të zhdukur, sipas të njëjtit burim i cili sqaron se nga shembja ka mbetur vetëm fasada e godinës ndërsa shumë persona kanë mbetur nën rrënoja.

Dy persona u plagosën dhe u dërguan në spital në gjendje kritike, sipas gazetës zyrtare Granma, e cila shkruan se shërbimet e shpëtimit shkuan në vendngjarje, në zonën turistike të Havanës së Vjetër, mbrëmjen e së martës.

Në vendngjarje janë nisur pesë kamionë dhe një vinç.

Gjithsej 13 familje, ose 55 persona, jetonin në ndërtesën, e cila ishte e ndërtimit të vjetër, sipas Arnelis de la Candelaria Hernandez, një punonjës i Drejtorisë së Strehimit të Havanës së Vjetër.

Për shkak të mungesës së mirëmbajtjes, ndërtesat shpesh shemben në disa lagje të vjetra të kryeqytetit kuban. Këto shembje ndodhin më shpesh gjatë sezonit të shirave dhe tajfunit, nga qershori deri në nëntor.

Havana është goditur nga reshje të dendura shiu ditët e fundit.

Sipas të dhënave të fundit zyrtare në dispozicion, 37% e 3.9 milionë shtëpive në Kubë ishin në gjendje të keqe ose shumë të keqe në fund të vitit 2020.

Atë vit, rënia e një ballkoni në qytetin e vjetër kishte shkaktuar vdekjen e tre vajzave të vogla, duke përhapur pikëllim dhe duke shkaktuar reagime të forta në vend.