36 persona kanë mbetur të vdekur dhe 23 të tjerë janë plagosur për shkak të shembjes së një ndërtese në Kamboxhia. Mësohet se nga shembja e ndërtesës punëtorët kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.
Mediat e huaja shkruajnë se ngjarja ka ndodhur në qytetin bregdetar të Kep, rreth 160 km (100 milje) në jugperëndim të kryeqytetit Phnom Penh.
Zyrtarët gjatë një deklarate bënë të ditur se 36 persona humbën jetën dhe se mes tyre kishte 6 fëmijë dhe 14 gra, por nuk shpjegohet arsyeja përse fëmijët ndodheshin në vendin e ndërtimit.
Ndërkohë Guvernatori i Kep, Ken Satha sqaroi se pronarët e ndërtesës ishin një çift kamboxhian dhe u ndaluan për t’u marrë në pyetje.
Kamboxhia po kalon një bum ndërtimesh për shkak të numrit të lartë të turistëve dhe investitorëve kinezë./abcnews.al