Shembet miniera e arit në Afganistan, 30 të vdekur

schedule16:16 - 6 Janar, 2019

schedule 16:16 - 6 Janar, 2019

Shembja e një miniere ari në Afganistan u ka marrë jetën 30 personave, shumica e të cilëve fshatarë që punonin ilegalisht nën tokë. Por ngjarja nuk i ka trembur banorët e zonës, që kanë vijuar kërkimet për metalin me vlerë pavarësisht thirrjeve të shtetit afgan.

Të paktën 30 persona kanë mbetur të vrarë në Afganistan si pasojë e shembjes në një minierë ari, në veri-lindje të vendit. Viktimat janë fshatarë të zonës, në rajonin e Kohistanit, të cilët kishin gërmuar deri në 60 metra thellësi për të nxjerrë metalin me vlerë. Dyshohet që shembja të jetë shkaktuar nga lagështira që vjen nga prania e shtratit të një lumi.

Afganistani ka burime të shumta minerare, por kushtet e punës në miniera janë shumë të rënda dhe shpesh herë bëhen shkas për incidente. Sipas mediave ndërkombëtare, banorët e zonës po përdornin një ekskavator në momentin e shembjes, që la gjithashtu edhe 7 të plagosur.

Një zyrtar vendas deklaroi për agjencinë e lajmeve “AFP” se fshatarët e ushtronin aktivitetin e tyre prej dekadash, të pakontrolluar nga shteti. “Kemi dërguar një ekip shpëtimi, por ata kanë filluar t’i heqin trupat vetë”, tha zyrtari.

Pasuritë e shumta natyrore të Afganistanit kanë mbetur të pashfrytëzuara për shkak të konfliktit me talebanët. Përplasja në fjalë ka çuar në rritjen e aktiviteteve ilegale të fshatarëve dhe vetë guerrilasve, që përmes të ardhurave financojnë aktivitetet e tyre. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!