Silvinjo e ka me shumë qejf, dhe ai po ia justifikon besimin.
Julian Shehu realizoi edhe golin e katërt të sezonit në Poloni, këtë herë në Kupën e këtij vendi.
Në një ndeshje që u bë tepër e vështirë përballë një ekipi mjaft inferior, skuadra e tij Vidzev, ia doli të kualifikohej për në turin e dytë edhe falë shqiptarit.
Skuadra nga Lodzi luajti në fushën e Bruk Bet Termalicës dhe Shehu fillimisht barazoi rezultatin në 2-2, madje kjo ndodhi në minutën e parë shtesë, duke e shpëtuar ekipin e shquar të Polonisë.
Më pas, ai ishte vendimtar në serinë e 11-metërshave, që përcaktoi kualifikimin.
Mesfushori kuqezi mori përsipër penalltinë e fundit, të pestën, dhe kaloi ekipin më tej duke qenë I saktë.
Ndër 10 gjuajtje u gabua vetëm një, dhe 11-metërshat përfunduan 5-4 për Vidzevin.
Julian Shehu ka 4 gola dhe 3 asistë këtë sezon në kampionat e në kupë./abcnews.al

