Tirana mori një fitore të vuajtur përballë Egnatias në “Air Albania”, por që mban larg përsëri skuadrat kundërshtare.
Edhe pse rrogozhinasit ishin me 10 lojtarë gjatë pjesës së dytë të lojës, bardheblutë arritën që ta dërgonin topin në portën e tyre vetëm 2 herë, por që mjaftoi për të rrëmbyer 3 pikë të tjera të vlefshme në garën për titullin kampion.
Trajneri Orges Shehi i gëzohej fitores, ndërsa theksoi se Egnatia ua vështirësoi paksa punët.
Tiranë cinike- “Kundërshtari sot ishte i vështirë se mbrohej me shumë forca afër portës së vet dhe duhet durim e të qarkullosh topin shpejt. E çuam ndeshjen aty ku e donim, pas golit gabuam duke i dhënë mundësi kundërshtarit. Më pëlqeu mentaliteti dhe kur kundërshtari ishte me 10 vetë duhej të ishim të duruar. Por, nuk e vumë rezultatin në diskutim dhe kjo më kënaq”.
Varet skuadra nga një apo dy emra, apo forca e grupit mbizotëron? “Dihen vlerat e Hoxhallarit dhe Seferit që janë lojtarë kyç të formacionit, më pëlqen që skuadra nuk varet nga individët dhe kur mungon ndonjë, të tjerët bëjnë mirë. Është për t’u admiruar kjo pjesë”.
Në pjesën e dytë me një lojtar më shumë mund të luhej për Devid? “Devid është kryesor, por e ka të vështirë të gjejë hapësira kur kundërshtari mbyllet. Nuk duhet të luajmë për individë të veçantë, do të na ndihmojë shumë ai. E rëndësishme është që po ingranohet, por do kohën e vet”, u shpreh Shehi. /f.a/abcnews.al