Shehi: E vështirë me ekipet që mbyllen mbrapa, u penalizuam edhe nga mungesat

schedule19:12 - 27 Nëntor, 2021

schedule 19:12 - 27 Nëntor, 2021

Tirana, pas humbjes me Kukësin ngeci në një tjetër transfertë, këtë herë ndaj Skënderbeut në Korçë. Trajneri Orges Shehi foli në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport:

“Nuk dua të merrem me deklaratat se çfarë thonë të tjerët, por mendoj se ne kemi qenë gjithmonë dominues. Megjithatë ndaj një skuadre që rri gjithë kohës në mbrojtje dhe del në kundërsulm, është e vështirë. Ata qëndruan me të gjithë forcat te 16-shja, ndaj nuk mund të presim të krijojmë 20 raste. Duhej të ishim më të qetë te pasimi i fundit e ato pak raste që krijuam.

Nuk ka ndryshuar asgjë te Tirana, por na janë shtuar mungesat. Na mungojnë Xhixha e Behiratche, ndërsa Totre luajti në pjesën e dytë, pasi kishte probleme. Megjithatë të mos harrojmë se jemi në krye dhe kemi marrë shumë pikë, pavarësisht se ne duam t’i fitojmë të gjitha”.

“Nuk na vë në vështirësi prania e Ngoo në fushë, pasi Covidi i la shenjë, por po vjen në rritje nga ndeshja në ndeshje. E mbajtëm deri në fund, pasi e dimë që është më i rrezikshmi në luftën në ajër. Ne kemi luajtur edhe me të, edhe pa të, madje edhe kemi fituar me të në fushë apo pa të, ndaj nuk mendoj se është problem”.

“Në derbin e Kupës rrezikuam me Xhixhën dhe nuk donim të bëjmë të njëjtën gjë me Totre, ndaj sot e lamë në stol, për ta futur vetëm në pjesën e dytë. Mund të bënim më mirë, por në fund u treguam disi të nxituar dhe humbëm logjikën e lojës”.

“Kur mbaron ndeshja ka gjithmonë vend për përmirësime, por sot na mungonte edhe një titullar si Xhixha. Një barazim këtu qëndron, pasi ishte një ndeshje ku një episod mund të vendoste gjithçka”, përfundoi Shehi. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!