Tirana do të përballet me dinamon në supersfidën e javës së 17-të të Abissnet Superiore. Në “Air Albania” do të luhet derbi i kryeqytetit dhe vëmendja do të jetë e gjitha në orën 19:45.
Tirana aktualisht është në vendin e parë dhe ndaj Dinamos do të kërkojnë të ruajnë edhe diferencën me vendin e dytë.
Në konferencën për shtyp trajneri Orges Shehi ka folur për sfidën me blutë e Bledi Shkëmbit, duke i konsideruar këta të fundit një skuadër të fortë që janë të ndërtuar për objektiva madhorë.
“Kemi përballë një kundërshtar me lojtarë cilësorë. Ata janë përforcuar, kanë cilësi dhe eksperiencë. Është një ndeshje që kërkon përqendrim maksimal. Dinamo është formuar për objektiva madhorë, është përforcuar me lojtarë cilësorë dhe me eksperiencë, çka e bën skuadër më të fortë.
Skuadra nuk ishte në performancën më të mirë në ndeshjen ndaj Vllaznisë. Pas ndeshjes bëhet analiza. Duhet të përmirësohemi, të jemi vetvetja dhe të përmirësohemi në manovër.
Devid? Ne kemi besim që kemi bërë një goditje të mirë në merkato. Ai e njeh kampionatin, ia njohim cilësitë. Ai mund të jetë nesër në fushë nga minuta e parë.
Nuk mendoj se çedoi sulmi ndaj Vllaznisë. Nuk ishim vetvetja në atë ndeshje, duhet të ndryshojmë të gjithë, sa i përket manovrës por edhe gabimeve. Kemi bërë gabime që nuk duam t’i bëjmë as në stërvitje.
Pesë lojtarë të rrezikuar për ndeshjen e radhës nëse ndëshkohen? Nuk mund të jemi të frenuar për të shkuar në dyluftime dhe sa i përket grintës. Duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e nesërme.
Është një kampionat ku mund të fitosh ndaj kujtdo dhe mund të lësh pikë me çdo ekip. Vllaznia është e kaluara. Duam ta përmirësojmë performancën, por rezultatet nuk kanë qenë negative.
Kontingjenti? Grupi është i plotë për nesër, kështu që zgjedhjet janë më të rehatshme për të gjithë stafin”, përfundoi trajneri i Tiranës. /f.a/abcnews.al