Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA betohet para Metës: Do mbroj interesat e vendit tim

schedule19:44 - 30 Korrik, 2020

schedule 19:44 - 30 Korrik, 2020

Shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Bajram Rushit Begaj u betua sot para Presidentit të Republikës, Ilir Meta, njëkohësisht Komandant i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit të emërimit, Gjeneral Major Begaj duke vënë dorën mbi Kushtetutë, u zotua para Presidentit Meta se do t’i shërbejë me ndershmëri vendit të tij.

“Betohem se do t’i bindem Kushtetutës e ligjeve, do t’i shërbej me ndershmëri vendit tim dhe do të mbroj interesat e Republikës së Shqipërisë.”

Duke i dorëzuar dekretin e emërimit, Meta i uroi Shefit të Shtabit të Përgjithshëm punë të mbarë dhe suksese në detyrën tepër të rëndësishme në drejtimin e Forcave të Armatosura shqiptare.

Meta theksoi se edukimi dhe specializimi i Gjeneral Major Begaj në fushën e mjekësisë është një vlerë e  shtuar që do ta ndihmojë atë në ushtrimin me përgjegjshmëri të lartë të kësaj detyre, veçanërisht në kushtet e përballimit të sfidave të kohës për Forcat tona të Armatosura, si pjesë e NATO.

Në ceremoninë e betimit ishin të pranishëm edhe ministrja e Mbrojtjes zonja Olta Xhaçka, Zëvendësshefja e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Gjeneral Brigade Manushaqe Shehu, Komandanti i Forcës Tokësore Gjeneral Brigade Albert Mullai, si dhe Komandanti i Komandës Mbështetëse të FA-ve, Gjeneral Brigade Ndriçim Sallaku.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!