Shefi i rrallë i policisë, uniforma nuk ia ka zbehur pasionin artistik të fotografimit

schedule14:15 - 27 Gusht, 2022

schedule 14:15 - 27 Gusht, 2022

Nga Roland Beqiraj

Ardian Fezollari, shefi i komisariati të Kolonjës çdo mëngjes ju jep porositë vartësve të tij dhe nis punë. U emërua në këtë detyrë rreth një vit më parë.

Por në kohën e lirë kthehet në Pogradec ku dhe banon. Heq uniformën. Merr aparatin fotografik dhe i kthehet pasionit të tij të hershëm, fotografisë.

“Unë nuk ushqehen nga fotografia, kam dhe luksin të ve shpirtin atje ku duhet të bëj diçka!”

Në fillimet e veta pas përfundimit të studimeve në akademinë e rendit nisi punë në Spaç aty bleu dhe aparatin e parë fotografik.

“Aparatin e parë fotografik unë e kam blerë në vitin 1990. Kam qenë me punë në Spaç të Mirditës. Dhe në një dyqan me artikuj të përzierë shiteshin dhe aparatë fotografik dhe ka qenë një aparat “Berët”, prodhim nga ish-Gjermania Lindore. Dhe në ato kushte të vështira, përdornim filma të skaduara. Ky ishte momenti i parë që realizonim foto kolektive me shokët tek reparti.”

Disa vite më pas u specializua për kriminalistikë dhe një nga mjete e domosdoshme të punës ishte dhe aparat fotografik.

“Në vitin 1994, iu nënshtrova një kursi për ekspert kriminalistik, që zgjati rreth një vit dhe një nga pajisjet bazë të kriminalstikës është aparati fotografik. Aty fillova të merresha seriozisht me fotografinë.”

Pas këtij momenti Ardiani nisi të marrë edhe më seriozisht fotografinë artistike. Një qytet liqenor si Pogradeci s’kishte si mos e frymëzonte.

“E kam thënë dhe e them gjithmonë, që Pogradeci ka një klimë shumë të mirë artistësh, kryesisht piktorë. Mësuesit tim të vizatimit, profesor Gjergji Lakos, i tregoj disa foto të realizuara në Lin. Ka qenë një gur dhe disa kallama. Profesori më thotë janë interesante. Këtu filloni, kur dikush të thotë se kjo është e mirë, më pas përshtatesh, pyet shumë. Duke u lodhur shumë, lodhur, lodhur jo si sot, arrita që në vitin 1996 të realizoj një ekspozitë.”

Na tregon disa sekrete që mbase shumë kureshtarë apo të apasionuari të fotografisë do të donin t’i mësonin.

“Një fotograf i mirë duhet të jetë si gjuetar i mirë. Liqeni ka një lloj specifike ndryshe nga deti. Në det mund të bësh prerje të mëdha drastike, kurse liqeni të jep dorë, diçka më tepër lidhur me hapësirën. Kam konstatuar një fenomen, prej vitesh. Nëse dilet në mëngjes herët, ende pa dalë dielli çuditërisht ti e shikon liqenin të ndriçuar. Në momentin që fillon e del dielli, humbet ndriçimi brenda në liqen. Anasjelltas, fillon perëndon drita, liqeni fillon të ndriçohet më mirë, fillon të errësohet mali. Këto janë veçoritë e liqeneve. Kur zbret nga Qafe Thana, gjithë siluetën e Malit të Thatë, ti e ke të pasqyruar në liqen. Nga kjo ka marrë dhe atë që quhet ” liqeni i dritës”

Vitet e fundit ka zgjeruar gamën e fotografive, veç peizazheve ka zbuluar dhe pasionin e tij për fotografimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe etnografike.

“Impaktet i kam patur kur kam parë albumet e Institutit të Kulturës popullore, të asaj kohe. Kur unë fillova të fotografoj, pata kontaket me fotogafin që e kam shumë përzemër, Nikolin Babën, i kam parë albumet e tij me kostumet tradicionale shqiptare dhe çuditërisht me bie në dorë, albumi I trevës së Korcës, kishte përfshirë dhe Përmetin, Gramshin e Librazhdin. Ne atë periudhë kam qenë i papunë. Unë mendova, nëse Nikolini ka bërë gjithë Shqipërinë, përse mos bëja diçka nga Qarku. Kështu filloi pjesa e trashëgimisë. Në çdo vend që kam shkuar, në çdo qytet që kam shkuar apo muze kam bërë fotografi. Unë gjithmonë kam qenë i apasionuar pas trashëgimisë kulturore.”

Kaq shumë mund, pasion dhe punë të dokumetuara në albume a e kanë një çmim?

“Është një nga punët më të papaguara. Mundësia e një fotografi për të shitur është zero. Sa do e shesësh një fotografi në Shqipëri? Shok e miq që kam pyetur, nuk shkon më tepër se 200 ose 250 dollarë për foto. Flas për foto që edhe që kanë bërë bujë të madhe. Nuk mundesh. Fotografia është një zhanër shumë deficitar. Kur thonë që hë mo se fotografi e kishe, harrojnë se për të realizuar këtë foto ke harxhuar. Për të shkuar në Lëpushë apo Vermosh, gjeja e parë duhet të kesh një mjet, duhet ti hedhësh karburant, pra konsumi është i jashtëzakonshëm.” /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!