Autoritetet ukrainase vijojnë të zbulojnë më shumë trupa përreth kryeqytetit, Kiev, ndërsa ka kaluar një javë pasi trupat ruse u larguan nga zona për t’u përqëndruar në Ukrainën lindore.
“Me keqardhje, mund të them se ne kemi gjetur trupat e 900 civilëve të vdekur dhe i kemi transferuar tek ekspertët mjeko-ligjorë,” tha në një konferencë shefi i policisë së rajonit të Kievit, Andriy Nebytov.
Nebytov tha se më shumë se 350 prej trupave u morën nga Bucha, ku provat e mizorive kanë çuar në akuza për krime lufte kundër trupave ruse, të mohuara me forcë nga Moska.
Heqja e rrënojave në Borodyanka dhe Makarov është ende në vazhdim dhe “do të ketë ende trupa të të vdekurve nën rrënoja,” shtoi shefi i policisë.
Ai theksoi se të vrarët ishin civilë dhe nuk kishin asnjë lidhje me formacionet ushtarake. /abcnews.al