Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, uroi, Joe Biden, për fitoren e presidencës së SHBA-së.
Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden dhe zëvendëspresidentja Kamala Harris po vazhdojnë të marrin urime nga liderë të ndryshëm botërorë pavarësisht faktit se presidenti amerikan, Donald Trump, nuk e ka pranuar humbjen dhe po konteston zgjedhjet.
“Ai (Guterres) përgëzon presidentin e zgjedhur dhe zëvendëspresidenten e zgjedhur dhe rikonfirmon se partneriteti midis Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkuara është një shtyllë thelbësore e bashkëpunimit ndërkombëtar të nevojshëm për të adresuar sfidat dramatike me të cilat përballet bota sot”, tha zëdhënësi i Guterresit, Stephane Dujarric, përmes një deklarate.
Dujarric nuk shpjegoi pse Guterres priti dy ditë për të bërë urimin e tij.
Diplomatët që folën në kushte anonimiteti thanë se Guterres, mandati i të cilit mbaron në fund të vitit 2021, nuk po planifikonte të kërkonte një mandat të dytë nëse Trump do të rizgjidhej president.
Nga e shtuna, dhjetëra udhëheqës botërorë dhe krerë të organizatave ndërkombëtare kanë shprehur urimet e tyre për Biden dhe Harris.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, i cili ishte një nga udhëheqësit e parë botërorë që uroi Bidenin pasi u shpall fitues i zgjedhjeve amerikane më 7 nëntor, foli me presidentin e zgjedhur në telefon më 9 nëntor.
“Ne kemi punuar me njëri-tjetrin më parë dhe jemi gati të trajtojmë sfidat dhe mundësitë me të cilat përballen dy vendet tona”, shkroi Trudeau në Twitter. Ai tha se kishin diskutuar për pandeminë e koronavirusit, ndryshimin e klimës dhe marrëdhëniet me Kinën.
Presidenti amerikan në largim, Donald Trump, nuk e ka pranuar ende rezultatin zgjedhor dhe ka filluar procese gjyqësore në një përpjekje për të ndryshuar rezultatin./abcnews.al

