Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres paralajmëroi se pandemia e COVID-19 jo vetëm që kërcënon rezultatet në luftimin e varfërisë globale dhe ndërtimin e paqes, por rrezikon të përkeqësojë konfliktet ekzistuese dhe të nxisë të reja.
Shefi i OKB-së ka thënë dhe se thirrja e tij më 23 mars për një armëpushim të menjëhershëm në konflikte në të gjithë botën, bëri që një numër i palëve ndërluftuese pushuan së luftuari.
“Për fat të keq, në shumë raste, pandemia nuk i shtyu palët të pezullojnë armiqësitë ose të bien dakord për një armëpushim të përhershëm”, tha Guterres.
Sipas tij pandemia ka ngritur pyetje në lidhje me efektivitetin e sistemeve shëndetësore, shërbimeve sociale, besimin në institucione dhe sistemet e qeverisjes.
“E gjithë kjo do të thotë që angazhimi ynë për të mbajtur paqen është më urgjent se kurrë”, tha ai.
Në muajin mars, Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli pandeminë nga koronavirusi i ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19. Rastet e para u paraqitën në Kinë në fund të vitit të kaluar për tu përhapur shumë shpejt në të gjithë botën./abcnews.al