Shefi i OKB-së: Nuk ka alternativë tjetër përveç diplomacisë

schedule08:53 - 15 Shkurt, 2022

schedule 08:53 - 15 Shkurt, 2022

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i bëri thirrje të hënën Rusisë, Ukrainës dhe Perëndimit që të ulin tensionet, duke thënë se “nuk ka alternativë tjetër përveç diplomacisë”.

“Çmimi në vuajtjet njerëzore, shkatërrimi dhe dëmi ndaj sigurisë evropiane dhe asaj globale është tepër i lartë për t’u imagjinuar”, tha ai duke folur për mundësinë e një sulmi rus ndaj Ukrainës, për të cilin Perëndimi thotë se mund të fillojë që të mërkurën.

“Thjesht nuk mundemi të pranojmë as mundësinë e një përballjeje të tillë shkatërrimtare”, tha ai nga selia qendrore e OKB-së.

Ai u zotua të vazhdojë angazhimin me të gjitha palët, duke ofruar edhe mjediset e zyrave të tij për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje.

Zoti Guterres foli me gazetarët pas u kthye nga një drekë pune që organizohet çdo muaj për 15 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit. Rusia ka këtë muaj presidencën e radhës të këshillit dhe e organizoi drekën në mjediset e misionit të saj në OKB.

Më herët të hënën, zoti Guterres pati një takim virtual me Ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov për rreth 20 minuta. Ai foli në vazhdim edhe me Ministrin e Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba.

Zoti Guterres nuk dha detaje nga bisedimet, por mirëpriti kontaktet diplomatike, përfshirë në nivelin e krerëve të shtetit. Ai megjithatë paralajmëroi se retorika provokuese nuk ndihmon.

“Deklaratat publike duhet të synojnë uljen e tensioneve, jo përshkallëzimin e tyre”, tha shefi i OKB-së.

Ai gjithashtu citoi Kartën e OKB-së, duke nënvizuar thirrjen ndaj vendeve anëtare që të zgjidhin paqësisht mosmarrëveshjet dhe të mos kërcënojnë apo të mos përdorin forcën ndaj integritetit territorial dhe pavarësisë politike të një shteti, ose në çfarëdo mënyrë tjetër që nuk përputhet me objektivat e Kombeve të Bashkuara”.

“Të braktisësh diplomacinë për t’u konfliktuar nuk është thjesht si të kalosh një vijë (të kuqe), por është si të hidhesh nga maja e malit”, paralajmëroi zoti Guterres. “Pra, apeli im është ky: Mos e braktisni kauzën e paqes”. /VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!