Shefi i OKB-së, Antonio Guterres i bëri thirrje Izraelit nga Kajro që të heqë pengesat e fundit për ndihmat në Rripin e Gazës, duke kërkuar sërish arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim të menjëhershëm.
“Kur shikojmë Gazën, është sikur katër kalorësit e Apokalipsit po galopojnë lart, duke mbjellë luftë, uri, pushtim dhe vdekje,” tha Guterres gjatë një konference me ministrin e Jashtëm egjiptian Sameh Shoukry.
“E gjithë bota beson se tani është koha për të ulur armët dhe për të zbatuar një armëpushim të menjëhershëm,” tha ai. Guterres paralajmëroi edhe për ndikimin që lufta në Gaza po ka në të gjithë botën.
“Sulmi i përditshëm ndaj dinjitetit njerëzor të palestinezëve krijon një krizë kredibiliteti për komunitetin ndërkombëtar,” vuri në dukje Guterres. Më herët, ai u takua me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, i shoqëruar nga kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), Philippe Lazzarini./abcnews.al