Pandemia e koronavirusit që ka vënë të gjithë botën në alarm për jetët e marra në një hark kohor prej 4 muajsh, duket se pas shuarjes së saj do ja lërë vendin krizës së të drejtave të njeriut.
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se pandemia e koronavirusit “po shëndrohet shumë shpejt” në një krizë të të drejtave të njeriut, pasi qeveritë po zbatojnë masa kufizuese dhe kanë mospajtime për të ndarë së bashku qindra miliarda dollarë në ndihmë për të lehtësuar efektet sociale dhe ekonomike.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, paralajmëroi për një diskriminim në ofrimin e shërbimeve publike për të trajtuar COVID-19,sëmundje kjo që ka vrarë më shumë se 184,000 njerëz në të gjithë botën.
Gjithashtu Guterres tha se shpërthimi, ka sjellë “një rritje të gjuhës së urrejtjes, shënjestrimin e grupeve të cenueshme”.
Pa emërtuar ndonjë vend apo parti, Guterres paralajmëroi se me “nacionalizmin etnik në rritje, populizëm, autoritarizëm dhe një reagim kundër të drejtave të njeriut në disa vende, kriza mund të shërbejë si arsye për të miratuar masa shtypëse për qëllime që nuk kanë lidhje me pandeminë”.
Ndërkohë më shumë se 2.6 milionë njerëz në botë tashmë janë infektuar me koronavirusin e ri, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins.
Megjithatë, niveli i vërtetë i numrit të të infektuarve dhe vdekjeve besohet të jetë shumë më i lartë, për shkak të raportimit të ulët nga zyrtarët dhe sigurimit të dobët të të dhënave në disa rajone.
Shumë vende kanë deklaruar gjendje të jashtëzakonshme për të luftuar përhapjen e virusit, dhe Guterres paralajmëroi se çdo masë urgjente duhet të jetë “ligjore, proporcionale, e nevojshme dhe jo-diskriminuese./abcnews.al