Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Ghebreyesus, ka zbuluar se ai nuk është në gjendje t’u dërgojë para të afërmve të tij që po vuajnë nga uria në rajonin Tigray të shkatërruar nga lufta në Etiopi.
“Kam shumë të afërm atje. Dua t’u dërgoj para, por nuk mundem”, tha ai në një konferencë për shtyp.
“Nuk e di as kush ka vdekur e kush është gjallë”, vazhdoi ai, raporton BBC, përcjell abcnews.al.
Që nga fillimi i luftës në vitin 2020, rajoni është shkëputur nga bota e jashtme, pa energji elektrike dhe telefona. Interneti dhe shërbimet bankare nuk janë gjithashtu të disponueshme.
Qeveria e Etiopisë është akuzuar se ka vendosur një bllokadë ndihme në rajon, e cila pengoi dërgesat thelbësore.
Dhjetëra mijëra civilë kanë vdekur dhe miliona kanë nevojë urgjente për ndihmë ushqimore. Programi Botëror i Ushqimit thotë se pothuajse gjysma e popullsisë 5.5 milion të Tigray ka nevoja të mëdha për ushqim.
Luftimet rifilluan këtë javë pas muajsh qetësie pas një armëpushimi të rënë dakord në mars midis forcave Tigrayan dhe qeverisë etiopiane për të lejuar kalimin e ndihmave.
Nuk është hera e parë që Tedros, ish-ministër i shëndetësisë në Etiopi, flet për luftën. Të mërkurën ai tha se situata ishte më e keqe se ajo në Ukrainë dhe sugjeroi se racizmi qëndron pas ndryshimit në reagimin global.
“Mund t’ju them se kriza humanitare në Tigray është më shumë se në Ukrainë, pa asnjë ekzagjerim. Dhe e thashë shumë muaj më parë, ndoshta arsyeja është ngjyra e lëkurës së njerëzve në Tigray”, theksoi ai. /abcnews.al