Shefi i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Gjenerali Angelo Michele Ristuccia, u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të heqin dorë nga “retorika e kotë” dhe të bisedojnë për t’i ulur tensionet.
“I ftoj sërish të dyja palët që të shmangin retorikën e kotë dhe të përballen me këtë sfidë në tavolinë të negociatave, pasi kjo është rruga e vetme për ta zgjidhur këtë situatë”, u ka thënë ai gazetarëve në selinë e KFOR-it në Prishtinë.
Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale.
Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe për pasojë ka pasur protesta të vazhdueshme.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë këtë javë në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, veçse ka refuzuar të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ndërkaq ky i fundit ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në takimin e Brukselit.
Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me situatën në veri:
- Shtensionimin e situatës atje
- Mbajtjen e zgjedhjeve të reja
- Kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Kurti, në anën tjetër, ka dalë me propozimin e vet.
Më 16 qershor, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se, Kosova do të përballet me pasoja nëse vazhdon të injorojë këshillën e Shteteve të Bashkuara – që kryetarët e rinj shqiptarë të mos punojnë nga ndërtesat komunale në veri.
Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar./REL