Kosova dhe Serbia pritet të rifillojnë bisedimet në fund të gushtit. Kryeministri Kurti dhe Presidenti Vuҫiq, pas tensioneve të fundit në veri të Kosovës, janë ftuar në Bruksel nga shefi i diplomacisë evropiane Borrel.
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka njoftuar se ka ftuar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për një takim më 18 gusht në Bruksel.
Në këtë takim, ndërmjetësues do të jetë vetë Borrell.
“Kam ftuar Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin më 18 gusht në Bruksel, për të diskutuar rrugën përpara ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, ka shkruar Borrell.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se edhe institucionet e BE-së, por edhe shtetet anëtare, po vëzhgojnë “me shqetësim” ngjarjet në Kosovë.
“Çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm që kërcënon stabilitetin dhe rrezikon lirinë e lëvizjes duhet të ndërpritet”, tha Stano.
Situata në veriun e Kosovës u përshkallëzua kur grupe serbësh lokal, vendosën barrikada në rrugë dhe sulmuan policinë e Kosovës, pas vendimit të qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë në dokumente udhëtimi dhe targa serbe të makinave.
Situata u qetësua pasi qeveria e Kosovës të njëjtën ditë vendosi që ta shtyjë për një muaj vendimin për reciprocitet, me kërkesë të SHBA-së. Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, shkroi në Twitter se “Shtetet e Bashkuara e mirëpresin vendimin e udhëheqësve të Kosovës për të pezulluar përkohësisht zbatimin e masave të reciprocitetit për targat dhe dokumentet e udhëtimit”, dhe se sipas tij “të dyja masat janë plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe ishin të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar”.
Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të martën (02.08) në mbrëmje zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, për tensionet e fundit në veri. Ai shkroi në Twitter se “të gjitha palët duhet të ruajnë qetësinë, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”.
Edhe shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, nga ana e tij tha, se “çështjet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të trajtohen nëpërmjet bisedimeve të lehtësuara prej tij dhe duke u përqendruar në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet tyre që janë thelbësore për rrugën drejt integrimeve evropiane”
/abcnews.al/