Kryetari i gjigantit bankar global Credit Suisse, Antonio Horta-Osorio, ka dhënë dorëheqjen me efekt të menjëhershëm pas thyerjes së rregullave të karantinës Covid. Ai e kishte marrë drejtimin e bankës, vetëm nëntë muaj më parë dhe u largua pas një hetimi të brendshëm. Hetimet zbuluan që zoti Horta-Osorio shkeli rregullat e Covid vitin e kaluar, duke përfshirë pjesëmarrjen në finalet e tenisit të Wimbledon.
Ish-drejtuesi i bankës Credit Suisse tha në një deklaratë të lëshuar për bankën se “Më vjen keq që një sërë veprimesh të mia personale kanë çuar në vështirësi për bankën dhe kanë rrezikuar aftësinë time për të përfaqësuar bankën brenda dhe jashtë”. Ai tha gjithashtu që “prandaj besoj se dorëheqja ime është në interes të bankës dhe palëve të saj të interesit në këtë moment vendimtar”. Zoti Horta-Osorio u zëvëndësua nga anëtari i bordit Axel Lehmann raporton “BBC”.
Muajin e kaluar, një hetim paraprak nga Credit Suisse kishte zbuluar që zoti Horta-Osorio kishte shkelur rregullat e Covid-19. Ai mori pjesë në finalet e tenisit të Wimbledon në korrik në një kohë kur kufizimet e Mbretërisë së Bashkuar Covid-19 kërkonin që ai të ishte në karantinë. Ish-drejtori gjithashtu shkeli kufizimet zvicerane Covid kur sipas “Reuters” ai fluturoi në vend më 28 nëntor, por u largua më 1 dhjetor. Rregullat zvicerane nënkuptonin se ai duhet të ishte karantinuar për 10 ditë pas mbërritjes së tij.
Në shkurt 2020, shefi ekzekutiv i atëhershëm i Credit Suisse, Tidjane Thiam dha dorëheqjen pasi u zbulua se banka kishte spiunuar punonjësit e lartë. Zoti Thiam mohoi të kishte njohuri për operacionet e spiunazhit. Credit Suisse është goditur gjithashtu nga humbje e mëdha të firmës financiare të dështuar Greensill ,e cila mbështeti Liberty Steel dhe Archegos, fondin mbrojtës amerikan që u shemb vitin e kaluar. / abcnews.al