“Shefi i AKI shantazhoi gjykatësit”, reagojnë AKI dhe Kushtetuesja

schedule20:35 - 16 Prill, 2023

schedule 20:35 - 16 Prill, 2023

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka hedhur sot poshtë pretendimet e informacioneve të shpërndara në media se “Shefi i AKI-së denoncohet për shantazh të gjyqtarëve kushtetues”. AKI ka theksuar se pretendimet e shkrimit të publikuar dëmtojnë kredibilitetin e këtij institucioni dhe të mashtrojnë publikun.

“Agjencia e Kosovës për Inteligjencë hedh poshtë dhe i cilëson të pavërteta pretendimet e artikullit të publikuar në paparaci.com, me titullin “Shefi i AKI-së denoncohet për shantazh të gjyqtarëve kushtetues”. AKI, në bazë të detyrave të përshkruara me ligj, bashkëpunon me të gjitha institucionet në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese. Pretendimet e shkrimit në fjalë, provojnë që të mashtrojnë opinionin publik dhe njëkohësisht të dëmtojnë kredibilitetin e AKI-së.”, është bërë e ditur në reagimin e AKI-së.

Lidhur me këtë çështje, ka reaguar edhe Gjykata Kushtetuese, e cila ka mohuar lajmin në fjalë. Gjykata ka potencuar se është plotësisht e pavarur në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese, raporton Kosova Press.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, mohon pretendimet e shkrimit të publikuar nga portali Paparaci.com, të dielën, më 16 prill 2023, me titull: “Shefi i AKI-së denoncohet për shantazh të gjyqtarëve kushtetues“. Gjykata Kushtetuese është plotësisht e pavarur në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese. Ajo gjithashtu, në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe atyre të përcaktuara në ligjet e aplikueshme, ka bashkëpunim me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.”, është bërë e ditur nga gjykata.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!