Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi i ftuar në Radari Informativ në “ABC” foli për luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike, riatdhesimin e shqiptarëve nga Siria, si edhe përfshirjen e efektivë të policisë në organizata kriminale.
Çuçi i konsideroi operacionet e shpëtimit të shqiptarëve në kampet në Siri aksione të vështira, ndërsa shtoi se shumë shpejt do të ketë rezultate.
“Ne po përpiqemi çdo ditë dhe ndoshta shumë shpejt mund të ketë rezultate. Ne mbetemi të angazhuar në maksimum që çdo shqiptar viktimë i terroristëve të mos mbetet atje”, u shpreh ai.
Ndërkohë për luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike, si edhe përfshirjen e efektivë të policisë me krimin e organizuar, Çuçi tha se çdo segment i policisë që do të tentojë të përfshihet në tilla organizata do të goditet.
“Në të gjithë botën ka. Kush tha që jemi ne rasti ideal, ku polici vetëm se ka uniformën është i virgjër nga pikëpamja e keqbërësit. Por ne garantojmë që godasim edhe ato segmente të policisë që tentojnë të bashkëpunojnë me krimin e organizuar”, tha ai.
Pjesë nga biseda në studio:
Pyetje: Keni një plan për riatdhesimin e shqiptarëve të mbetur në Siri?
Çuçi: Po, absolutisht që po.
Pyetje: Do të vonojë përpara zgjedhjeve?
Çuçi: Do të vijë kur të jetë koha. Do të kemi rezultate shumë shpejt, por kaq mund të them?
Pyetje: Pas riatdhesimit të grupit të parë, pati një heshtje?
Çuçi: Aty nuk është kamp qetësimi. Vështirësia është e madhe,a ty mbizotëron një kaos dhe është shumë e vështirë të depërtosh. Duhet të gjesh kanalet e duhura sepse mund të gabosh dhe mund të sjellë humbje jete. Këto janë aksione shumë delikate. Kemi shpresë se aksionet do të jenë të suksesshme.
Gjatë intervistës me gazetaren Jonida Shehu, Çuçi foli edhe për vrasjet e pazbardhura në Shqipëri.
“Aty po punohet. Operacionet që janë bërë janë për tu lavdëruar. Besoj se rezultatet flasin vetë dhe nuk kanë nevojë për koment. Në lidhje më këto që ju përmendet ka hetime të gjerë dhe do të kemi rezultate konkrete dhe çështje konkrete. Kemi pasur dhe do të kemi”, tha ai.
Pyetje: Ka mbetur shumë pak kohë deri në fund të mandatit?
Çuçi: Këto nuk janë aksidente automobilistike, forca goditëse ka qenë shumë e madhe. Policia është më e organizuar dhe e motivuar edhe për shkak të angazhimit politik të qartë të pakompromis.
Pyetje: Sa thellë është futur krimi i organizuar në polici?
Çuçi: Janë raste sporadike.
Teksa u ndale tek strategjia për të luftuar kultivimin e lëndëve narkotike, ai theksoi se Policia sot është e pavarur.
“Policia është e pavarur, ka piramidën e vet. SHÇBA është një strukturë që po e kthejmë në njësi inteligjence. Do të jetë si një strukturë e cila do të godasë çdo segment të policisë që tenton të përfshihen në krim të organizuar”, u shpreh ai.
Pyetje: Ndryshime në kupolën e policisë?
Çuçi: Ka gjithmonë ndryshime, qarkullime. Mund të ketë në dinamikën që ka vetë policia. Sa më takon mua si ministër, unë po them që do të ndëshkoj këdo që do të provohet që ka lidhje me krimin e organizuar, çfarëdolloj krimi”, u shpreh ai.
/abcnews.al/

