SHBA, vriten dy zjarrfikës/ Autori i vuri zjarrin pyllit, qëlloi zjarrfikësit sapo mbërritën

schedule13:43 - 30 Qershor, 2025

schedule 13:43 - 30 Qershor, 2025

Dy forca zjarrfikëse mbetën të vrarë dhe një tjetër u plagos rëndë të dielën në Idaho të Shteteve të Bashkuara të Amerikës , pasi u qëlluan gjatë një sulmi të armatosur teksa po punonin për shuarjen e një zjarri pyjor në zonën malore të Canfield Mountain, pranë qytetit Coeur d’Alene.

Zyrtarët nga Zyra e Sherifit të Qarkut Kootenai konfirmuan se sulmi ishte një “pritë e plotë”, ku zjarrfikësit u qëlluan menjëherë pas mbërritjes në vendin e ngjarjes dhe nuk e dinin se nga po vinin të shtënat. Autoritetet thonë se agresori I cili përdori një snajper e kishte ndezur zjarrin qëllimisht për të terhequr forcat zjarrfikëse në kurth. Sherifi I zonës tha se Zjarrfikësit të cilët shkuan në zone për të shuar flakët nuk patën asnjë shanc që të mbijetonin dhe të vetëmbroheshin. Zjarrfikësi i tretë i plagosur u operua dhe është në gjendje të qëndrueshme, por mbetet në rrezik për jetën.

Policia u përball në një shkëmbim zjarri me agresorin, i cili më pas u gjet i vdekur, por nuk është ende e qartë nëse u qëllua nga forcat e sigurisë apo kreu vetëvrasje. Trupi i tij u lokalizua me ndihmën e të dhënave të vendndodhjes nga telefoni i tij celular dhe u nxorr nga vendngjarja nga një njësi speciale e emergjencave , ndërsa flakët po përhapeshin me shpejtësi. Më shumë se 300 efektivë policie nga nivele të ndryshme, përfshirë agjentë federalë dhe helikopterë me snajperë, morën pjesë në operacionin e ndërlikuar. Zyrtarët nuk dhanë ende informacione mbi identitetin e sulmuesit apo motivin e tij, duke theksuar se hetimet janë në fazë fillestare dhe pritet të zbulohen edhe armë të tjera në vendngjarje.

Guvernatori i Idahos, Brad Little, e dënoi sulmin si një “sulm të neveritshëm ndaj zjarrfikësve tanë të guximshëm” dhe u kërkoi qytetarëve të luteshin për viktimat dhe familjet e tyre.

Incidenti tronditës ndodhi në një zonë të pyllëzuar të frekuentuar nga alpinistë, rreth 420 kilometra në lindje të Seattle. Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan tym të dendur mbi kodrat, ndërsa ambulanca dhe automjete të shumta të emergjencës u panë duke u drejtuar drejt spitalit më të afërt.

Sulmi rikthen në qendër të vëmendjes çështjen e dhunës me armë në SHBA. Vetëm në vitin 2023, sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve  17,927 persona u vranë me armë zjarri në vend. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!