Presidenti Donald Trump ka ndërprerë ndihmat për vendet e Amerikës Qendrore, për shkak të fluksit të emigrantëve që tentojnë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Ndonëse direktiva e tij ka nisur të zbatohet, për t’u kompletuar ajo kërkon aprovimin e ligjvënësve në Kongres.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara i ka ndërprerë ndihmat vendeve të Amerikës Qendrore pasi presidenti Donald Trump i kritikoi ato për fluksin e emigrantëve. Një valë në rritje azilkërkuesish nga El Salvadori, Guatemala dhe Hondurasi u përpoqën në ditët e fundit të hyjnë në Shtetet e Bashkuara nga kufiri jugor. Të premten, Trump akuzoi vendet në fjalë se i kishin organizuar qëllimisht karvanet me emigrantë dhe tha se ka shumë gjasa që javën e ardhshme të mbyllë kufirin me Meksikën, nëse kjo e fundit nuk i bllokon ato. “Shtetet e Bashkuara u japin këtyre vende shuma të mëdha parash dhe në këmbim nuk marrin asgjë”, tha Trump për gazetarët. Persona që kalojnë shpesh herë kufirin, kryesisht punëtorë dhe studentë, druhen se masa e shefit të Shtëpisë së Bardhë do të trondisë jetët e tyre. Ndërkohë, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit ka bërë të ditur në një deklaratë për shtyp se zbatimi i direktivës së Trump për ndërprerjen e ndihmave për 3 vendet e njohura si Trekëndëshi Verior ka nisur. Megjithatë, departamenti ka nënvizuar se çështja do të kalojë në Kongres, duke lënë të nënkuptohet se për t’i dhënë fund ndihmave që arrijnë deri në 700 milionë dollarë nevojitet aprovimi i ligjvënësve./abcnews.al