Ushtria amerikane njoftoi sot në 14 shkurt se ka kryer një seri sulmesh kundër objektivave të grupit terrorist ISIS në Siri, si hakmarrje për sulmin e ndodhur në dhjetor 2025, ku u vranë dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes civil amerikan.
Sipas një deklarate, aeroplanët amerikanë kanë kryer 10 sulme midis 3 dhe 12 shkurtit 2026, duke goditur më shumë se 30 objektiva të ISIS, përfshirë depo armësh dhe infrastrukturë operative.
Që nga fillimi i sulmeve gjatë 2025, janë goditur më shumë se 100 objektiva të ISIS, ndërsa të paktën 50 anëtarë të ISIS janë vrarë ose kapur, sipas CENTCOM. Sulmi i dhjetorit 2025 ndaj forcave amerikane kishte shkaktuar vdekjen e Sgt. Edgar Brian Torres-Tovar, Sgt. William Nathaniel Howard dhe Ayad Mansoor Sakat, përkthyes civil.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Sirisë njoftoi të enjten se forcat qeveritare morën nën kontroll një bazë në lindje të vendit, që ishte përdorur për vite me radhë nga trupat amerikane në luftën kundër ISIS. Baza Al-Tanf kishte një rol të rëndësishëm pas shpalljes së kalifatit nga ISIS në pjesë të mëdha të Sirisë dhe Irakut në vitin 2014.
Ushtria amerikane gjithashtu njoftoi të premten për transferimin e mijëra të burgosurve të ISIS nga Siria në Irak, ku pritet të përballen me gjyq. Ky veprim u realizua në kërkesë të qeverisë së Bagdadit dhe u mirëprit nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA-të, i cili kishte luftuar kundër ISIS për vite me radhë.


