SHBA, sanksione ndaj entiteteve në Iran dhe Rusi për ndërhyrje në procesin zgjedhor

schedule20:43 - 31 Dhjetor, 2024

schedule 20:43 - 31 Dhjetor, 2024

Shtetet e Bashkuara vendosën të martën sanksione ndaj entiteteve në Iran dhe Rusi me akuzat se kishin bërë përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane të këtij viti.

Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi përmes një deklarate se entitetet – një organizatë e lidhur me Rojën Revolucionare të Iranit dhe një organizatë e lidhur me agjencinë ushtarake ruse të zbulimit – synuan të “nxisin tensione shoqëroro-politike dhe të ndikojnë në elektoratin amerikan gjatë zgjedhjeve amerikane të vitit 2024”.

“Qeveria e Iranit dhe ajo e Rusisë i vendosën në shënjestër proceset tona zgjedhore dhe institucionet, si dhe synuan të përçajnë popullin amerikan përmes fushatave të qëllimta të dezinformimit”, tha Zëvendës-sekretari në detyrë i Thesarit për Terrorizëm dhe Zbulim Financiar, Bradley Smith.

“Shtetet e Bashkuara do të mbesin vigjilente ndaj armiqve që duan të minojnë demokracinë tonë”, tha ai përmes një deklarate.

Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara në Nju Jork dhe Ambasada e Rusisë në Uashington nuk i komentuan këto zhvillime.

Kandidati republikan Donald Trump u zgjodh president në nëntor, duke fituar ndaj demokrates Kamala Harris, në një rikthim të pashembullt katër vite pasi i kishte humbur zgjedhjet presidenciale për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Organizata ‘Cognitive Design Production Center” planifikoi operacione për të ushtruar ndikim të paktën që nga viti 2023, sipas Thesarit, ndërkohë që Qendra për Ekspertizë Gjeopolitike (CGE), me seli në Moskë, shpërndau dezinformata për kandidatët zgjedhor dhe financoi e orkestroi krijimin e fotografive dhe videove të manipuluara përmes inteligjencës artificiale ‘deepfakes’.

Thesari njoftoi se qendra CGE kishte manipuluar gjithashtu një video-regjistrim për të nxitur “akuzat e pabaza për një kandidat për nënpresident në garën e vitit 2024”. Autoritetet nuk dhanë detaje se cili kandidat është vënë në shënjestër.

Sipas Thesarit, qendra me seli në Moskë, nën dirigjimin e agjencisë ruse të zbulimit GRU, përdori inteligjencën artificiale për të përpiluar dezinformata me shpejtësi dhe për t’i shpërndarë ato në një rrjet faqesh interneti që ishin të dizajnuara që të duken si platforma legjitime të mediave.

Thesari akuzoi agjencinë ruse të zbulimit GRU se e kishte mbështetur financiarisht qendrën CGE dhe një rrjet të lehtësuesve në Shtetet e Bashkuara për të ndërtuar dhe mirëmbajtur një ‘server’, vend për ruajtjen e të dhënave në internet, si dhe për të mirëmbajtur një rrjet të përbërë nga të paktën 100 faqe interneti, të cilat përdoreshin në operacionet e saja dezinformuese.

Sanksionet u vendosën edhe ndaj drejtorit të CGE-së të martën.

Një raport i përvitshëm, që bën vlerësimin e kërcënimeve, i publikuar në tetor, thotë se Shtetet e Bashkuara po shohin kërcënime të shtuara nga Rusia, Irani dhe Kina që synojnë të ndikojnë zgjedhjet, përfshirë përmes përdorimit të inteligjencës artificiale për të shpërndarë informacion të rremë apo përçarës./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!